Ndërlidhjet

Kryeministri irakian urdhëron arrestimin e protestuesve

  • RFE /RL

Kryeminsitri i Irakut, Haidar al-Abadi, i ka urdhëruar sot autoritetet që t’i arrestojnë dhe sjellin para drejtësisë protestuesit që hynë të shtunën në Zonën e Gjelbër të Bagdadit, duke sulmuar ligjvënësit, forcat e sigurisë dhe duke dëmtuar prona.

Shumë protestues e lëshuan sot ndërtesën e parlamentit, por qindra të tjerë kanë mbetur në Zonën e Gjelbër, në të cilën ndodhen ndërtesat e qeverisë dhe ambasadave të huaja.

Disa protestues kanë vendosur tenda jashtë ndërtesës së parlamentit.

Situata duket më e qetë dhe protestuesit po bëjnë xhiro përreth zonës dhe po bëjnë fotografi të vendeve që rrallë herë kanë pasur mundësi t’u qasen apo t’i shohin nga afër.

Irakianët shpesh janë ankuar se liderët e tyre jetojnë të mbrojtur në Zonën e Gjelbër, përderisa të tjerët vuajnë nga dhuna e përditshme apo shërbimet e dobëta publike.

Pavarësisht urdhërit të Abadit për t’i ndjekur protestuesit, forcat e sigurisë nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim kundër atyre që kanë mbetur në Zonën e Gjelbër.

Në një deklaratë të mëhershme, Abadi bëri thirrje për protesta të qeta dhe për ruajtje të “pronës së institucioneve shtetërore.”

Qindra protestues, përkrahës të klerikut shiit Muqtada al-Sadr, hynë dje në Zonën e Gjelbër të Bagdadit, me disa prej tyre që pushtuan ndërtesën e parlamentit dhe selinë e afërt të kabinetit qeveritar.

Forcat e sigurisë hodhën gaz lotsjellës në përpjekje për ta ndalur protestën agresive në Zonën e Gjelbër, ku ndodhet parlamenti dhe shumë institucione të tjera qeveritare.

Ky shpërthim i protestuesve erdhi pasi ligjvënësit refuzuan mbajtjen e votimit për riformatizim të qeverisë. Disa raporte televizive tregonin protestuesit që thyenin orendi brenda ndërtesës së parlamentit.

Disa protestues të tjerë valvonin flamuj dhe thërrisnin “paqe, paqe”!

Një zëdhënës i ushtrisë, Saad Mann, tha se forcat e sigurisë së Irakut kanë deklaruar gjendje emergjente në Bagdad.

Pushtimi i parlamentit ishte njëshkelje e paparë e sigurisë, pavarësisht se Zona e Gjelbër shpesh ka qenë shënjestër e sulmeve vdekjeprurëse ndër vite, që nga koha e rrëzimit të diktatorit Saddam Hussein nga forcat amerikane.

Forcat irakiane të sigurisë u pozicionuan për t’i mbrojtur ambasadat, ndërtesat qeveritare dhe objektet e tjera me rëndësi në atë zonë. Focat e sigurisë nuk bën përpjekje për t’i ndalur protestuesit nga hyrja në ndërtesën e parlamentit.

Trupat gjithashtu bllokuan rrugët që çonin në drejtim të qendrës së qytetit, për t’i parandaluar më shumë protestues që ia kishin mësyer asaj zone.

Gjatë një adresimi televiziv nga Najaf, Sadr paralajmëroi një tërheqje nga jeta publike për dy muaj dhe tha se ai “është duke pritur për një kryengritje të madhe popullore dhe një revolucion për t’i ndalur të korruptuarit”.

Ndërsa televizionet lokale treguan Abadin duke dalur nga zona nën masa të rrepta të sigurisë, me qëllim të përgënjeshtrimit të raporteve të mëhershme që thonin se ai kishte ikur në një zonë më të sigurt.

Organizata e Kombeve të Bashkuara tha se “është thellësisht e shqetësuar” me protestat. Misioni Ndihmës për Irakun i Kombeve të Bashkaura gjithashtu ndodhet në Zonën e Gjelbër.

Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, kritikoi protestat, duke theksuar se ato “rrezikojnë stabilizimin e mëtejmë të një situate që veçse është e tensionuar.”

Përkrahësit e Sadr ka disa javë që po protestojnë për t’i bërë presion kryeministrit Abadi që t’i ndërmarrë reformat e premtuara. Disa parti parlamentare, nga ana tjetër, po rezistojnë përballë përpjekjeve të Abadit për t’i zëvendësuar disa zyrtarë, të cilët ishin zgjedhur për ta mbajtur baraspeshën etnike e sektare, me teknokratë.

Disa ambasada, përfshirë edhe atë amerikane, ndodhen në Zonën e Gjelbër të Bagdadit. Një zyrtar amerikan bëri të ditur se ndërtesa e ambasadës amerikane në Bagdad nuk është evakuuar.

Përgatiti: Valjeta Kosumi
XS
SM
MD
LG