Ndërlidhjet

logo-print

Kerry kërkon zgjidhje për problemin e Aleppos


Aleppo, 28 prill 2016

Aleppo, 28 prill 2016

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka nisur dje një shtytje diplomatike në Gjenevë, në kohën kur fuqitë botërore po kërkojnë ndaljen e dhunës dhe luftimeve në qytetin sirian të Aleppos.

Kerry arriti në Gjenevë për bisedime me homologët arabë dhe me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara në bisedime për Sirinë, Staffan de Mistura. Ai tha se Uashingtoni pret bashkëpunim nga Moska.

“Shpresojmë se do të bëjmë progres”, ka thënë Kerry në fillim të takimit me ministrin e Jashtëm të Jordanisë, Nasser Judeh.

“Këto janë orë kritike. Ne presim bashkëpunimin e Rusisë, dhe qartazi presim nga regjimi që ta dëgjojë Rusinë dhe të përgjigjet”, ka thënë Kerry.

Një ditë më herët, Moska kishte thënë se nuk do të kërkonte nga forcat e presidentit sirian, Bashar al-Assad, që t’i ndalin sulmet ajrore në Aleppo, duke theksuar se ato i kanë cak grupet xhihadiste që nuk janë të përfshira në armëpushim, i cili hyri në fuqi në muajin shkurt.

Luftimet në qytetin e Aleppos, gjatë ditës së djeshme, lanë të vrarë gjashtë persona dhe më shumë se 40 të tjerë të lënduar.

Forcat opozitare, që kontrollojnë një pjesë të Aleppos, granatuan pozita që mbahen nga qeveria, ndërsa forcat siriane raportohet se kanë realizuar të paktën 12 sulme bombarduese.

Për më shumë se një javë luftimesh, në Aleppo kanë mbetur të vrarë disa qindra civilë dhe janë zbehur shpresat për sukses të procesit paqësor, të përkrahur nga Kombet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG