Ndërlidhjet

Thaçi: Liberalizimi i vizave po i numëron orët


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Procesi për liberalizimin e vizave “nuk është duke i numëruar ditët dhe javët, por mund të them se është duke i numëruar orët", ka deklaruar sot presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

"Mund të them se Kosova ka zbatuar të gjitha kriteret e nevojshme për rekomandimin e vizave nga Brukseli, prandaj dua të potencoj se procesi për liberalizmin e vizave për Kosovën tashmë nuk është duke i numëruar ditët dhe javët, por mund të themi se është duke i numëruar orët dhe ky është një lajm i mirë dhe histori e re për Kosovën", është shprehur Thaçi.

Presidenti Thaçi këtë deklarim e ka bërë pas një takimi që ka pasur me kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën ka komentuar edhe ministri kosovar i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Çollaku ka thënë se kjo javë do të jetë shumë dinamike dhe e mbushur me lajme historike për shtetin tonë të ri.

“Këto lajme që do vinë, edhe pse të vonuara pa fajin tonë, dhe do të gëzojnë shumë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Me lejoni të marr guximin dhe paragjykoj sukses të plotë të Kosovës, i cili është plotësisht i merituar. Prandaj, në mënyrë krejt të pazakonshme, iu uroj paraprakisht të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për sukseset historike të kësaj jave”, ka thënë Çollaku, duke aluduar në dhënien e rekomandimit për liberalizim të vizave për Kosovën, si dhe pranimin e mundshëm të Kosovës në UEFA.

XS
SM
MD
LG