Ndërlidhjet

Kerry thotë se po i afrohen një marrëveshjeje mirëkuptimi për Aleppon


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, në fillim të takimit me Ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir, në Gjenevë, 2 Maj 2016
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, në fillim të takimit me Ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir, në Gjenevë, 2 Maj 2016

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha sot se bisedimet me Rusinë dhe partnerët e koalicionit kundër Shtetit Islamik “po i afrohen një marrëveshjeje mirëkuptimi”, për ta rivendosur një armëpushim në Siri, përfshirë zonat përreth Aleppos.

“Ka pasur shumë bisedime gjatë ditës së djeshme, po ashtu edhe sot, dhe po i afrohemi një mirëkuptimi. Por, ende ka punë për të bërë, e për këtë arsye jemi këtu”, ka thënë Kerry sot në Gjenevë.

Ai i bëri këto komente në fillim të takimit me Ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir, në Gjenevë.

Ndërsa, pas bisedimeve me Jubeir, Kerry tha se Siria është ende “në shumë mënyra jashtë kontrollit”.

Ai tha se bisedime legjitime politike për Sirinë nuk mund të realizohen nëse forcat qeveritare dhe rebelët nuk nënshkruajnë marrëveshjen për armëpushim.

Jubeir, nga ana tjetër, i dënoi luftimet e ashpra në dhe përreth Aleppos, dhe i cilësoi si “shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare.”

Ai fajësoi sulmet ajrore që kanë vrarë qindra njerëz gjatë javës së kaluar, nga forcat e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Rusia tha gjatë fundjavës se nuk do të kërkojë nga forcat e Assadit që t’i ndalin sulmet ajrore në Aleppo.

Moska pretendon se ato sulme kanë në shënjestër militantët e Shtetit Islamik, të cilët nuk janë të përfshirë në armëpushimin e ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët.

XS
SM
MD
LG