Ndërlidhjet

Përkeqësim i lirive fetare në botë

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Kriza globale me refugjatë, konfliktet politike dhe zhvendosjet ekonomike kanë kontribuuar në përkeqësimin e lirive fetare në mbarë botën, në vitin 2015, dhe kanë shtuar mungesën e tolerancës shoqërore, thuhet në raportin e Komisionit amerikan për Liritë Fetare në Botë.

Në raportin e përvitshëm të këtij Komisioni janë identifikuar 17 shtete që “kanë probleme të theksuara lidhur me shkeljen e lirive fetare, që janë sistematike, të vazhdueshme dhe skandaloze”

Kategoria përfshin Birmaninë, ku myslimanëve ‘rohingya’ u mohohet e drejta për të votuar dhe qasja në shërbimet shëndetësore.

Pastaj është edhe Taxhikistani, ku qeveria shtyp të gjitha aktivitetet fetare që nuk janë nën kontrollin direkt të saj.

Në këtë kategori hyn edhe Nigeria, për të cilën Komisioni erdhi në përfundim se qeveria e saj “nuk ka strategji efektive për ta ndalur dhunën” që kryhet nga Boko Harami, grupi ekstremist mysliman.

Në mesin e vendeve ku u përkeqësuan kushtet e lirisë fetare në vitin 2015 ishin Irani, ku numri i të ashtuquajturve “të burgosur të ndërgjegjës” është rritur që nga marrja e detyrës nga presidenti Hassan Rohani.

Komisioni, i cili është themeluar nga Kongresi amerikan si një trup i pavarur, sipas dokumentit ndërkombëtar për liritë fetare të vitit 1998, udhëzohet që t’i identifikojë “Vendet me Interes të Veçantë”, por varet pastaj nga Departamenti amerikan i Shtetit që ta bëjë përcaktimin zyrtar.

Qeveria amerikane pastaj obligohet që të ndërmarrë veprime në këto vende, që ndonjëherë përfshijnë edhe sanksione, për të inkurajuar përmirësim të gjendjes.

Në raportin e vitit 2015 të këtij Komisioni janë identifikuar shtatë shtete që e meritojnë përcaktimin zyrtar të “Vendeve me Interes të Veçantë”, por që ende nuk janë kategorizuar si të tilla.

Në mesin e tyre janë Egjipti, Iraku dhe Pakistani; që të trija prej tyre kanë lidhje të ngushta në aspketin e sigurisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përgatiti: Valjeta Kosumi

XS
SM
MD
LG