Ndërlidhjet

Java e Kosovës - pas UEFA-s, liberalizimi i vizave


Ilustrim
Ilustrim

Pas pranimit në Federatën Evropiane të Futbollit - UEFA, Kosova pret që të mërkurën të marrë një lajm tjetër të mirë, kësaj radhe nga Komisioni Evropian që ka të bëjë me rekomandimin për liberalizimin e vizave.

Më anë të këtij rekomandimi, i cili besohet të jetë pozitiv, do të vlerësohet nëse janë përmbushur kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Zyrtarët në Qeverinë e Kosovës thonë se të gjitha kriteret janë plotësuar dhe rekomandimi pritet të jetë pozitiv.

Ministri i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kriteret që ka kërkuar Komisioni Evropian për Kosovën, kanë qenë shumë më të vështira sesa për shtete e tjera. Por, sipas tij, Kosova ka arritur t’i përmbush të gjitha.

"Është një pritje krejtësisht e natyrshme dhe reale që shumë shpejt Komisioni Evropian të dal me rekomandimin e vet ligjor për dhënien e rekomandimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Kjo pritet të ndodh shumë shpejt, por për shkak të marrëdhënies zyrtare të punës me Komisionin Evropian që kemi, nuk mund ta konfirmojë datën e saktë se kur një gjë e tillë do të ndodhë", tha Çollaku.

Ministri Çollaku ka deklaruar po ashtu se në procesin e liberalizmit të vizave është punuar për më gjatë se katër vite, dhe siç u shpreh ai, puna e bërë tani po përfundon me sukses.

"E gjithë kjo vjen si një meritë nuk vjen si një shpërblim nga ana e Komisionit Evropian, por vjen si një vlerësim i punës serioze që është bërë në përmbushjen e të gjitha rekomandimeve të parapara me udhërrëfyes", ka theksuar Çollaku.

Ndërkaq, njohësi i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, thotë për Radion Evropa e Lirë se rekomandimi për liberalizim të vizave ishte një rrugëtim shumëvjeçar me shumë vështirësi.

Me gjithë rekomandimin pozitiv që është paralajmëruar për të mërkurën, Muharremi rikujton se për lëvizje të lirë, pa viza drejt shteteve të Bashkimit Evropian, qytetarët duhet të presin edhe disa muaj.

“Sigurisht që propozimi i amandamentimit të rregullores do marrë kohë dhe janë disa procedura derisa Parlamenti dhe Këshilli Evropian të bëjnë aprovimin për të mundësuar që liberalizimi i vizave, pra lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës të hyjë në fuqi. Kjo nënkupton fundin e izolimit të Kosovës dhe është një ndër momentet me domethënëse pas pavarësisë se Kosovës", është shrpehur Muharremi.

Sa u përket kushteve për të cilat supozohet se mund të ketë, Muharremi thotë se ato janë plotësuar dhe nuk do ketë kushte tjera.

"Kur është fjala tek diskutimi në media, sipas të cilave, do ketë kushte dhe se liberalizimi mund të pezullohet në rast të numrit të madh të azil kërkueseve, kjo nuk është diçka e re dhe është kusht për të gjitha vendet tjera. Por që asnjëherë nuk është aktivizuar nga BE-ja".

"Andaj, për t’ju shmangur rasteve të tilla, Qeveria e Kosovës duhet të intensifikojë fushatën e informimit të publikut dhe të tregoj që liberalizimi i vizave nuk është leje pune dhe nënkupton lëvizje të lirë të kufizuar brenda 90 ditëve", ka theksuar Muharremi.

Në anën tjetër, ministri Çollaku thotë se pas marrjes së rekomandimit nga Komisioni Evropian, proceduarat e mëtutjeshme nuk do të jenë pengesë. Sipas tij, pjesa dërrmuese e shteteve anëtare janë përkrahës të shtetit të Kosovës.

"Përvoja tregon për secilin shtet që ka përfituar nga ky proces kanë kaluar disa muaj. Për Shqipërinë, periudha e pritjes nga momenti i rekomandimit ka qenë gjatë muaj e 18 dite. E njëjta ka qenë edhe për Bosnjën dhe Hercegovinën. Për Serbinë, Malin e Zi e Maqedoninë ka qenë katër muaj e katër ditë. Në rastin tonë ka një situatë tjetër, sepse ju e dini që veç Kosovës, Komisioni Evropian tashmë ka dhënë rekomandim për Gjeorgjinë dhe Ukrainën e ndoshta pritet të jap edhe për Turqinë".

"Do të varet shumë edhe nga vullneti i politik brenda Parlamentit të Bashkimit Evropian se me çfarë shpejtësie do t'i trajtojë këto raste veç e veç dhe pastaj edhe nga vendimmarrja në kuadër te Këshillit të Bashkimit Evropian", ka shpjeguar ministri.

Në Ministrinë e Integrimit Evropian, kanë sqaruar se megjithatë edhe lëvizja e lirë ka rregullat që secili qytetarë duhet t'i respektojë.

Me liberalizim të vizave mund të udhëtohet pa vizë në shtetet e zonës Schengen, por nuk mund të qëndrohet më gjatë se 90 ditë.

Liberalizimi i vizave në asnjë rast nuk mundëson punësim apo ndonjë veprimtari ekonomike në shtetet e zonës Schengen.

Udhëtimin pa vizë mund ta bëjë çdo qytetar shtetas i Republikës së Kosovës, që posedon pasaportë biometrike.

Por, pas liberalizimit të vizave, edhe qytetarët të cilët nuk kanë pasaportë biometrike, por kanë vizë valide Schengen, mund ta shfrytëzojnë atë për aq kohë sa kanë validitet.

XS
SM
MD
LG