Ndërlidhjet

Tiranë: Shpallen fajtorë 9 persona për dërgim të luftëtarëve në Siri


Ilustrim

Ilustrim

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë vendimin për 9 të pandehurit e akuzuar për rekrutim dhe dërgim të luftëtarëve shqiptarë në Siri.

Pas një seance që nisi të martën në orën 9.00 të mëngjesit, rreth orës 20.30 të mbrëmjes trupi gjykues ka dhënë vendimin për 9 të pandehurit, duke i shpallur ata fajtorë për akuzën e mësipërme dhe për akuza të tjera, të kryera në bashkëpunim.

Gjatë leximit të vendimit, në sallë ka patur reagime të ashpra nga familjarë dhe mbështetës të të pandehurëve, të cilët janë treguar agresivë ndaj gjykatësve e gazetarëve. U desh ndërhyrja e forcave policore për të shmangur një përplasje mes tyre e gazetarëve që mbulonin ngjarjen.

Avokati mbrojtës i të pandehurëve deklaroi se do të ankohet për vendimin e sotëm në shkallët e tjera të gjyqësorit.

Seanca është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie.

Gjyqi ndaj 9 të pandehurëve ka nisur në mars të vitit 2014. Akuza ndaj tyre u bazua tek rekrutimi dhe dërgimi i luftëtarëve shqiptarë nga Shqipëria në Turqi, e më pas në Siri, për t’iu bashkuar grupeve që SHBA i ka cilësuar si grupe terroriste.

Sipas të dhënave të medias shqiptare, të paktën 90 persona janë nisur nga Shqipëria për të luftuar në Siri. Dyshohet se 15 prej tyre janë vrarë.

Dënimi maksimal iu nda njërit prej të pandehurve me 18 vjet burg, ndërsa dënimi minimal i ndarë ishte 7 vjet burg.

XS
SM
MD
LG