Ndërlidhjet

Vetëvendosje përshëndet liberalizimin, por shpreh mospajtim për demarkacionin


Ilustrim

Ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje ka përshëndetur vendimin e Komisionit Evropian për të rekomanduar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ne besojmë se privimi i deritashëm i qytetarëve të Kosovës nga lëvizja e lirë brenda zonës Schengen ka qenë i padrejtë. Qytetarët nuk duhet ta paguajnë çmimin e krimit të organizuar e korrupsionit të politikanëve në pushtet me të cilët eksponentë të ndryshëm ndërkombëtarë (përfshirë ata të BE-së) kanë punuar ngushtë”, thuhet në qëndrimin e publikuar nga ky subjekt politik.

Në vijim, Vetëvendosje megjithatë ka shprehur edhe një shqetësim në lidhje me një kërkesë të fundit të Komisionit Evropian për heqjene vizave e që ndërlidhet me ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacion.

“Kërkesa që Republikës së Kosovës ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi para se çështja e liberalizimit të shkojë tek Parlamenti Evropian, është e padrejtë, kur merret parasysh sa e dëmshme është marrëveshja aktuale me Malin e Zi”, thekson Vetëvendosje. Një kërkesë të tillë, sipas këtij subjekti politik opozitar, nuk e ka pasur Mali i Zi kur i janë hequr vizat qytetarëve të atij vendi e as vendet tjera.

“Republika e Kosovës nuk e ka të demarkuar as kufirin me Serbinë. Por kjo nuk është vënë si kërkesë. Nëse kufijtë e demarkuar qartë janë kërkesë e zakonshme atëherë është dashur që të kërkohet demarkimi i të gjithë kufijve ndërkombëtar të Kosovës”, thuhet mes tjerash në qëndrimin e Vetëvendosjes.

XS
SM
MD
LG