Ndërlidhjet

logo-print

Federica Mogherini "bashkon" në seancë pushtetin dhe opozitën

  • RFE /RL

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, viziton sot Kosovën.

Gjatë vizitës në Prishtinë, Mogherini do të takohet me udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, si dhe do të mbajë një fjalim në Kuvend, i cili do të mblidhet në një seancë solemne. Në seancë, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe partitë opozitare, të cilat këto dy muajt e fundit kanë bojkotuar punimet e kuvendit.

Për nder të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Prishtina sot është stolisur me flamuj të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Vizita e saj vjen një ditë pasi Komisioni Evropian i ka propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Propozimi i Komisionit Evropian pritet të miratohet tani edhe nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian.

Me këtë propozim, Kosova do të vendoset në listën e vendeve që mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Ndërkaq, fillimi i lëvizjes së qytetarëve të Kosovës pa viza në zonën Shengen, sipas autoriteteve të Kosovës mund të zgjasë nga 3 deri në 6 muaj.

Deri atëherë, Kosovës i mbeten t’i përmbushë edhe dy kushte thelbësore. Kushti i parë dhe më i ngutshëm është ai i ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit. Ndërkaq kushti tjetër, që mbetet i përhershëm dhe si standard evropian, ka të bëj me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pritet që këto kritere, Federica Mogherini t’ua ritheksojë autoriteteve në Prishtinë sot, si në takimet e ndara ashtu edhe në fjalimin e saj para deputetëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG