Ndërlidhjet

Ish-presidentët Bush nuk do të mbështesin Trumpin


Ish-presidentët George H.W. Bush dhe George W. Bush.
Ish-presidentët George H.W. Bush dhe George W. Bush.

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk do ta ketë mbështetjen e ish-presidentëve George H.W. Bush dhe George W. Bush.

George W. Bush, i cili ka shërbyer dy mandate para se presidenti Barack Obama është zgjedhur në vitin 2008, “nuk e ka në plan të marrë pjesë ose të komentojë garën e këtij viti”, ka thënë ndihmësi i tij.

Një zëdhënës i babait të Bushit, George H.W. Bush, ka thënë se ish-presidenti, 91 vjeç, “është pensionuar nga politika”.

Ai është larguar nga zyra në vitin 1993 pasi nuk ka arritur të rizgjidhet në garën me Bill Clintonin.

Bushi i vjetër ka mbështetur kundërshtarin republikan të Clintonit më 1996, Bob Dole.

Ai natyrisht ka mbështetur fushatën e suksesshme të djalit të tij në vitin 2000 kundër rivalit demokrat Al Gore dhe në vitin 2004 kundër John Kerryt.

Në vitin 2008, të dy Bushët kanë mbështetur kandidatin republikan, John McCainin, por ai është mposhtur nga Obama.

Po ashtu në vitin 2012, ata kanë mbështetur Mitt Romneyn, por atëherë Obama ka fituar mandatin e dytë.

Të mërkurën, rivali i fundit i Trumpit është tërhequr nga gara për nominimin e Partisë Republikane në zgjedhjet për president të SHBA-së që do të mbahen këtë nëntor.

Vendimi i ka hapur rrugë Trumpit që të marrë emërimin e partisë së tij.

XS
SM
MD
LG