Ndërlidhjet

Pleqtë e një fshati në Pakistan urdhërojnë vrasjen e 16-vjeçares


Pakistan

Pakistan

Policia në Pakistan ka bërë të ditur se pleqtë e një fshati kanë urdhëruar vrasjen e një vajze adoleshente, pasi ajo ka ndihmuar shoqen e saj të arratiset me të dashurin.

Vajza 16 vjeçe është rrëmbyer nga shtëpia e saj pranë qytetit Abotabad, në provincën Khiber Pakhtunkhva, dhe është futur brenda një makine, së cilës më pas i është vënë flaka, ka thënë policia.

Po sipas saj, nëna e viktimës dhe udhëheqësi i këshillit lokal, ose Jirga, janë në mesin e disa njerëzve të arrestuar.

Jirga është një asamble tradicionale e pleqve nëpër fshatra të Pakistanit.

Sipas policisë, Jirga 15-anëtarëshe ka urdhëruar që vajza, e identifikuar si Amber, të vritet dhe të digjet si ndëshkim për ndihmën që i ka ofruar mikes për t’u martuar me dëshirën e saj.

Vajza është rrëmbyer, droguar dhe vrarë, ndërsa më pas është vënë në ulësen e një makine, e cila është lagur me benzinë dhe është djegur, ka thënë policia.

Disa media kanë raportuar se viktima ka qenë ende gjallë kur është djegur.

Vitin e kaluar, afro 1,100 gra në Pakistan janë vrarë nga të afërmit, të cilët kanë besuar se ato kanë çnderuar familjet e tyre.

Në muajin shkurt, provinca më e madhe në Pakistan, Punxhab, ka kaluar një ligj që penalizon të gjitha format e dhunës kundër grave.

XS
SM
MD
LG