Ndërlidhjet

Sulmi në kampin sirian mund të përbëjë krim lufte


Sulmi në kampin Kamouna.
Sulmi në kampin Kamouna.

Sulmi ajror që ka goditur një kamp të refugjatëve sirianë, duke vrarë së paku 28 veta, mund të përbëjë krim lufte, kanë thënë zyrtarë të Kombeve të Bashkuara.

Duke folur për BBC-në, shefi i çështjeve humanitare të OKB-së, Stephen O’Brien, ka kërkuar të hetohet sulmi në kampin Kamouna, në provincën Idlib.

Raportet thonë se sulmi në zonën që kontrollohet nga rebelët, është kryer nga aeroplanët sirianë ose rusë, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar.

Shtëpia e Bardhë e ka dënuar ashpër sulmin.

“Këta individë janë në gjendjen më të dëshpëruar që mund të imagjinohet dhe nuk ka asnjë justifikim kryerja e aksioneve ushtarake kundër tyre”, ka thënë zëdhënësi Josh Earnest.

Sulmi, të enjten pasdite, ka ndodhur një ditë pasi është konfirmuar zgjatja e armëpushimit.

Ushtria siriane dhe forcat rebele joxhihadiste janë pajtuar për armëpushim të përkohshëm përreth qytetit Alepo, pas presionit nga SHBA-ja dhe Rusia.

Lufta civile në Siri ka nisur në vitin 2011.

Mbi 270,000 njerëz janë vrarë në luftime dhe gati gjysma e popullsisë është zhvendosur.

XS
SM
MD
LG