Ndërlidhjet

Në Irak janë gjetur 50 varreza masive


Vendi i varrezës masive në Ramadi, Irak
Vendi i varrezës masive në Ramadi, Irak

Më shumë se 50 varreza masive janë gjetur në territorin e liruar nga kontrolli i Shtetit Islamik në Irak, përfshirë tri gropa të mbuluara në një fushë futbolli, ka njoftuar i dërguari i Kombeve të Bashkuara.

Jan Kubis i ka thënë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se dëshmitë për “krimet rrënqethëse”, të kryera nga grupi militant, u zbuluan përderisa forcat irakiane, të mbështetura nga trupat amerikane dhe forcat ajrore, po e rimerrnin qytetin e Ramadit dhe zonat e tjera në veri dhe perëndim të Irakut.

Tri varreza që mbanin nga 40 grupe të mbetjeve, u gjetën në një fushë futbolli në Ramadi më 19 prill, ka thënë Kubis. Ramadi është liruar plotësisht nga Shteti Islamik në muajin shkurt.

I dërguari tha se kriza humanitare po përkeqësohet në Irak, me afro një të tretën e popullësisë, apo më shumë se 10 milionë njerëz që po kërkojnë ndihmë urgjente; shifër kjo e dyfishuar nga viti i kaluar.

Ai ka parashikuar se edhe 2 milionë njerëz të tjerë mund të zhvendosen deri në fund të vitit, nga fushata e re ushtarake, me qëllim të largimit të IS-it.

Forcat irakiane dhe kurde lëshuan një ofensivë në muajin mars në provincën Nineveh, ku po mbahet qyteti i Mosulit nga Shteti Islamik që nga qershori i vitit 2014.

XS
SM
MD
LG