Ndërlidhjet

logo-print

Ekspertët e ekonomisë thonë se vetëm një zgjidhje e shpejtë e krizës politike në Maqedoni, mund të shpëtojë nga trazirat që atakojnë dhe politikat monetare, që kanë dalë tashmë në sipërfaqe dhe kërkojnë një zgjidhje urgjente.

Nëse vazhdon edhe për disa javë kjo paqartësi e gjendjes së rënduar politike, detyrimisht që Banka Qendrore do të duhet të marrë hapa konkret që të mbajë kushtimisht thënë, nën kontroll politikën monetare të vendit".

"Edhe ashtu, tashmë ka indikacione të qarta për dobësimin e theksuar të valutës së Maqedonisë, denarit ndaj euros, edhe kundrejt faktit që Ministria e Financave dhe Banka Popullore e Maqedonisë këtë gjë e mbajnë të fshehur duke heshtur përball opinionit”, thotë per Radion Evropa e Lirë, profesori universitar Arben Halili.

Ndërkohë, Banka Popullore e Maqedonisë, javën që po e lëmë pas, ka rritur normat e interesit të bonove të thesarit për 0.75%, gjegjësisht, prej 3,25 sa ishte më herët, në 4%.

“Vendimi për shtrëngimin e politikës monetare, sipas Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë, vjen si reagim i rritjes së kërkesës së devizave dhe i trysnive ndaj depozitave në banka. E gjithë kjo është pasojë e pritjeve të përkeqësuara ekonomike, të shkaktuara nga gjendja politike jostabile”, thuhet në njoftimin zyrtar të Bankës Popullore të Maqedonisë.

Tashmë një javë në Maqedoni ka interesim të shtuar nga ana e qytetarëve për t’i konvertuar kursimet e tyre nga denarë në euro, që ka ndikuar në rritjen e euros në këmbimoret private.

Në këtë drejtim, ekspertët e ekonomisë, si indikativ e shohin faktin që askush deri më tani nga Banka Popullore e Maqedonisë, nuk ka treguar saktësisht se sa denarë janë konvertuar në euro nga kursimet e qytetarëve.

Bankat komerciale të Maqedonisë thonë se janë duke analizuar zhvillimet e lëvizjeve të politikës monetare dhe brenda dy javëve, do të vendosin se a do t’i rrisin apo jo kamatat edhe për kreditë e qytetarëve.

Por, njohësi i çështjeve ekonomike, Sllobodan Najdovski, konsideron se pas vendimit të Bankës Popullore, që të rrisë kamatën e bonove të thesarit, edhe bankat komerciale mund t`i rrisin kamatat e kredive që kanë qytetarët.

“Banka Popullore ndikon në sasinë e parave, të cilat janë në qarkullim në shtet dhe njëherësh u dërgon porosi edhe bankave komerciale për të reaguar ndaj politikave, të cilat po i zhvillon Banka Popullore e Maqedonisë, përkatësisht të reagohet në shkallën e kamatave”.

“Rritja e normave të interesit në këtë situatë do të godasë fillimisht standardin e qytetarëve, të cilët janë të zhytur në kredi të shumta po gjithsesi edhe në vetë ekonominë e vendit”, vlerëson Najdovski .

Edhe Vanco Uzunov konsideron se gjasat janë shumë të mëdha që bankat komerciale t’i rrisin normat e interesit, veçanërisht të kredive, të cilat janë dhënë për zhvillimin e bizneseve.

“Nuk mund të them se Bankat Komerciale do t’i risin pak ose shumë kamatat e kredive, veçanërisht kur kemi të bëjmë me kreditimin e kompanive të cilat kanë huazuar para për zhvillimin e bizneseve. Por, gjithsesi se bankat komerciale do të reflektojnë në këtë drejtim dhe kjo do të ketë vështirësojë kthimin e tyre që edhe ashtu është në pikën kritike”, thekson Uzunov.

Ndryshe, Banka Popullore e Maqedonisë ka bërë të ditur se thellimi i krizës politike do të zvogëlojë rritjen ekonomike për këtë vit prej 3.5 në 1.6% nga Bruto Prodhimi Vendor, duke paralajmëruar dhe shtrëngimin e politikës monetare.

XS
SM
MD
LG