Ndërlidhjet

Rruga e vështirë e Kosovës në proceset e BE-së


Instalacioni "LEt GO EU"
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:05 0:00

Instalacioni "LEt GO EU"

Përmes një instalacioni artistik të vendosur në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, shoqëria civile ka paraqitur në mënyrë simbolike rrugën e vështirë të shtetit të Kosovës në secilin proces të Bashkimit Evropian.

Vendosja e këtij instalacioni është bërë në Ditën e Evropës, dhe pak ditë pasi që Komisioni Evropian i ka propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Instalacioni i titulluar “Let-GO-EU”, mban mbishkrimin "Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të popujve dhe shteteve. Kosova nuk mund të jetë copëza që mungon në këtë tërësi".

Etrit Zeneli, ideatori i këtij instalacioni, ka theksuar se përveç tjerash, kjo vepër artistike paraqet pakënaqësinë e qytetarëve të Kosovës, të cilët për 17 vite kanë qenë të izoluar.

“Ky është një objekt në formë të ‘legos’, që mund t’i ketë 100 kuptime, por sot më 9 maj, në Ditën e Evropës, e ka vetëm një kuptim, pra simbolizon Kosovën. Këto gjashtë pulla paraqesin gjashtë komunitetet që jetojnë në Kosovë, po ashtu simbolizon lënien anash të Kosovës në shumë procese dhe të fundit në secilin proces”, ka theksuar ai.

Për ideatorin e këtij instilacioni Etrit Zeneli, Bashkimi Evropian është treguar i vonuar në proceset e integrimit të Kosovës në familjen evropiane.

Në anën tjetër, Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka theksuar se pas rekomandimit pozitiv për liberalizim të vizave, Kosovën e presin mjaft procese tjera, të cilat janë edhe më të vështira.

“Rruga që e kemi përpara mbetet akoma shumë e komplikuar. Por, tani pasi që kemi gjetur shtegun ne do të vazhdojmë në atë shteg sigurt. Ne e dimë që nuk ka rrugë të shkurtër drejt Bashkimit Evropian, por ne do të dimë ta gjejmë dhe do të vazhdojmë hapat e sigurt deri në destinacionin përfundimtar që ta bëjmë Kosovën zyrtarisht pjesë të familjes evropiane”, ka theksuar ministri Çollaku.

Dita e Evropës e cila në Kosovë shënohet si festë zyrtare, sipas ministrit Çollaku, është më kuptimplotë tani, kur qytetarët e këtij vendi, së shpejti do të mund të lëvizin lirshëm pa viza në shtetet evropiane.

Ndërkohë, Besa Luzha, pjesëtare e shoqërisë civile, ka potencuar se në të gjitha analizat dhe studimet e bëra është theksuar se Kosova në proceset integruese është lënë anash nga Bashkimi Evropian.

“Ky katror i ‘legos’ në këtë instalacion duhet të jetë i fundit në ndërtimin e asaj që e paramendojmë në Evropë, sepse Evropa e plotë nuk mund të jetë pa Kosovën. Për këtë, ne të gjithë duhet të angazhohemi që në periudhën në vazhdim t’i kryejmë detyrat që i kemi”, ka shtuar Luzha.

Ditën e Evropës e kanë uruar edhe krerët e shtetit të Kosovës.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka theksuar se destinacioni i ardhshëm i Kosovës është Evropa.

“Sot më shumë se kurdoherë duhet t’i kujtojmë vlerat mbi të cilat është ngritur Bashkimi Evropian dhe të përsërisim përkushtimin tonë për t’i përqafuar këto vlera dhe parime, siç janë përkushtimi për paqe dhe dialog, për bashkëpunim ekonomik, treg të lirë dhe lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, drejtësi dhe sundim të ligjit, për shoqëri multi-kulturore në të cilën askush nuk diskriminohet dhe të gjithë janë të barabartë”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Ndryshe, në Kosovë mbahen aktivitete të shumta për nder të kësaj dite.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian më 9 maj e rikujtojnë nismën e ish-zyrtarit të lartë francez, Robert Schuman [1886 – 1963], i cili shihet si njëri nga arkitektët e projektit të integrimit evropian.

Kjo ditë shënohet prej 9 majit të vitit 1950.

XS
SM
MD
LG