Ndërlidhjet

logo-print

Hyseni: Serbët e Kosovës të pajisen me pasaporta biometrike të Kosovës


Ministri i Punëve të brendshme i Qeverisë së Kosovës, Skënder Hyseni, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës, që të pajisen me pasaportat biometrike të Kosovës, në mënyrë që ta shfrytëzojnë të drejtën për udhëtim në vendet e Schengenit, e cila do të jetë e mundur pas liberalizimit të vizave për vendin.

Thirrja e tillë e ministrit Hyseni për serbët e Kosovës, vjen pas marrjes së propozimit pozitiv për liberalizim vizash për Kosovën nga Komisioni Evropian.

“Fundja, bëhet fjalë për një dokument udhëtimi që nuk paraqet asnjë problem, në asnjë aspekt dhe nuk ka asnjë pengesë as teknike e as politike që qytetarët serbë të Republikës së Kosovës, të pajisen me pasaporta biometrike. Ata duhet të pajisen me pasaporta biometrike të Republikës së Kosovës", ka thënë ministri Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka shtuar se regjimi i udhëtimit pa viza, për qytetarët e Kosovës, vlen për të gjithë qytetarët e këtij vendi që kanë një pasaportë biometrike dhe nuk vlen nëse ata nuk e kanë një pasaportë të tillë, qofshin ata shqiptarë, serbë apo të cilësdo bashkësi etnike.

Ministri Hyseni ka theksuar se pas Marrëveshjes për Stabilizim Asociim dhe propozimit pozitiv për liberalizim vizash për Kosovën, qytetarët e Kosovës kanë arsye shtesë që ta kremtojnë në mënyrë më solemne “Ditën e Evropës”, e cila po shënohet sot.

Një ditë pasi Komisioni Evropian dha propozimin pozitiv për liberalizim vizash për Kosovën, Komisioneri për çështje të brendshme, migracion dhe shtetësi, Dimitris Avramopoulos, pati theksuar se BE-ja do të pranojë vetëm pasaportat biometrike të Kosovës, për shtetasit e saj.

XS
SM
MD
LG