Ndërlidhjet

logo-print

Marsh përkujtimor në Kumanovë – paqartësitë vazhdojnë


Pamje pas përleshjeve të armatosura në Kumanovë, 11 Maj 2015

Pamje pas përleshjeve të armatosura në Kumanovë, 11 Maj 2015

Edhe një vit pas përleshjes së armatosur ndërmjet forcave të policisë maqedonase dhe grupit të armatosur në Kumanovë, me ç’rast humbën jetën 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 14 pjesëtarë të grupit të armatosur, gjërat ende mbeten të paqarta.

Shtëpitë në këtë lagje janë ndërtuar pjesërisht por banorët thonë se plagët nuk shërohen derisa mos të dalë e vërteta plotësisht në pah mbi atë se çfarë ndodhi në Kumanovë. Këshilli i familjeve nga lagja e Trimave në Kumanovë, një vjetorin e përleshjes së armatosur mes policisë dhe grupit të armatosur në këtë lagje e ka kujtuar përmes organizimit të një marshi përkujtimorë.

Shaban Demiri për Radion Evropa e Lirë thotë se marshi përkujtimor përshkon në heshtje rrugën nga lagja deri në qendër të qytetit, përkatësisht tregu ku ishin të vendosura postblloqet e forcave maqedonase të sigurisë.

“Marshi ynë sot është marsh përkujtimor, nuk është marsh protestues. Ai realizohet në heshtje në rrugët e Kumanovës. Kemi paraparë që heshtja të flas gjithçka që ne nuk mund ta themi lirisht sepse nuk kemi liri të shprehjes, nuk kemi gjykata të pavarura, nuk mund të presim gjykime të drejta por vazhdojnë proceset e montuara ….”, ka bërë të ditur për Radion e Evropa e Lirë Shaban Demiri, kryetar i Këshillit të Familjeve nga Lagja e Trimave.

Familjarët e kësaj lagjeje edhe sot kanë kërkuar që partitë politike shqiptare qoftë ajo në pushtet ose ata të cilat veprojnë në opozitë, të mos keqpërdorin ngjarjet e 9 dhe 10 Majit në Kumanovë për përfitime të politikës ditore.

“Ne nuk organizuam sot protesta por vetëm një marsh përkujtimor për t’i thënë politikës që të qëndroj larg Lagjes së trimave. Problemet zgjidhni në metoda tjera dhe në vende të tjera larg Kumanovës”, thekson Shaban Demiri, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe SHBA-së për realizimin e një hetimi ndërkombëtar për Lagjen e Trimave dhe zbardhjen e këtij rasti deri në fund.

Ministria e Punëve të Brendshme, menjëherë pas aksionit të forcave policore në lagjen e trimeve në Kumanovë, një vit më parë, pati deklaruar se aksioni kishte të bënte me zbulimin e një grupi të madh të armatosur I cili sipas të dhënave operative të dikasterit të policisë maqedonase dyshohej se do të kryente sulme mbi institucione e Maqedonisë.

MPB tha se grupi I armatosur në Maqedoni është futur përmes rrugëve ilegale nga një vend fqinj, ndërkohë që siç është prononcuar ministrja e punëve të brendshme, në atë kohë, Gordana Jankullovska, policia ka arritur që me kohë, përkatësisht përpara se ky grup të vepronte, të gjejë vendndodhjen e tij. Sipas saj, veprimi i policisë është bërë mbi bazën e informatave për grupin dhe i cili ka bërë një rezistencë të fortë të armatosur.

Vetëm tre ditë më vonë, ministrja Jankullovska dha dorëheqje, së bashku me drejtorin e drejtorisë për Zbulim dhe Kundër Zbulim, Sasho Mijallkov.

Në shkurt të këtij viti, ndërkaq, në Gjykatën Themelore e Maqedonisë nisi procesi gjyqësor për 29 pjesëtarët e grupit të armatosur, të cilët kryesisht janë shtetas të Kosovës, me akuzën për pjesëmarrje në “organizatë terroriste“, në bazë të nenit 394, si dhe për veprën penale “terrorizëm “ të sanksionuar me kodin penal të Maqedonisë.

Por, familjarët e policëve të vrarë nuk besojnë se pjesëtarët e grupit të armatosur kanë qenë terroristë.

“Ku humbi jetën dhëndri im I cili la dy fëmijë jetim. Në një aksion për të luftuar terrorizmin? Jo këtu nuk ka terrorizëm vetëm vrasje e paguar “, thotë Sllavko Kirovski, familjar i një pjesëtari të vrarë të policisë maqedonase në ngjarjet e 9 Majit në Kumanovë.

Edhe avokatët të cilët mbrojnë të akuzuarit për rastin e Kumanovës thonë se kanë dëshmi të forta të cilët do t’i bëjnë publike gjatë gjykimit, se grupi i armatosur nuk ka të bëjë fare me terrorizëm dhe se pas aksionit të forcave policore të Maqedonisë fshihen skenarë të strukturave të shërbimeve të inteligjencës maqedonase dhe një vendi fqinj, ndërkohë që të akuzuarit janë vetëm viktima të këtij skenari. Pala mbrojtëse njëherësh ka kërkuar që rasti në fjalë t’i kalohet prokurorisë speciale publike të Maqedonisë.

Përleshja e armatosur ndërmjet forcave të policisë dhe grupit të armatosur ndodhi në kulmin e kizës politike, kur opozita maqedonase publikoi bisedat e përgjuara, që inkriminojnë zyrtarë të lartë të pushtetit në vepra të rënda penale.

XS
SM
MD
LG