Ndërlidhjet

logo-print

Në Ballkan, pse lartësohen heronjtë e gabuar?

  • Gordana Knezheviq, Radio Evropa e Lirë

Ish-gjenerali Jovan Divjak, Sarajevë, 2012

Ish-gjenerali Jovan Divjak, Sarajevë, 2012

Më 29 shtator të vitit 1991, Admirali Vladimir Baroviq mori një urdhër nga shefat e tij të Ushtrisë Jugosllave që të nis bombardimet në bregdetin kroat. Ishte një urdhër që ai nuk mund t’i bindej, por ai e ndjeu për detyrë që ta bënte këtë gjë.

Jo shumë kohë më parë, përderisa negocionte tërheqjen e ushtrisë nga porti i Pulas, ai kishte thënë: “Këtu nuk do të ketë shkatërrim përderisa jam unë në krye, dhe nëse detyrohem ta urdhëroj shkatërrimin e Pulas ose Istrias, atëherë nuk do të jem më në krye të detyrës”. Kur i erdhi urdhëri, Baroviq e mbajti fjalën. Në vend se t’i kthente armët e flotës së tij në qytetet e bregdetit kroat, ai bëri vetëvrasje.

Baroviq i mori vetes jetën pasi refuzoi të merrte jetët e të tjerëve. Për ta udhëruar një sulm kundër njerëzve kroatë, të cilët nuk i kishin bërë keq as atij, por as vendit të tij, (siç edhe e kishte shpjeguar në letrën e vetëvrasjes) ishte kundër sensit të nderit si një oficer, por edhe malazez.

Përderisa çdo fëmijë në ish-Jugosllavi e njeh Radovan Karaxhiqin, liderin e serbëve të Bosnjës, i dënuar për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata e Hagës, të paktë janë ata që kanë dëgjuar për Admiral Baroviqin. Përderisa një konvikt studentësh në Pale e ka marrë emrin e Karaxhiqit, nuk ka asnjë rrugë apo ndërtesë në Mal të Zi, Kroaci apo Serbi që mban emrin e Baroviqit.

Baroviq ishte vetëm 52 vjeç në kohën kur bëri vetëvrasje. Vdekja e tij ishte raportuar në gazetat kroate, ndërsa agjencia e lajmeve AFP kishte lëshuar një njoftim të shkurtër. Ai është varrosur në Herceg Novi, në Mal të Zi, pa ndonjë publicitet. Edhe lajmet për vdekjen e tij u varrosën bashkë me të.

Tani, pothuajse një çerek shekulli më vonë, një organizatë jo-qeveritare, “Aleanca Qytetare”, po bën fushatë në kryeqytetin malazez, Podgoricë, në emër të Admiralit Baroviq.

Ata kanë kërkuar nga presidenti i vendit, Filip Vujanoviq, që të lëshohet një çmim nderi pas vdekjes, por ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Një tjetër oficer i ushtrisë, i cili shpëtoi nderin dhe reputacionin e vendit të tij, ishte Gjenerali Jovan Divjak. Një oficer i Ushtrisë Jugosllave, serb i lindur në Beograd, kur nisi lufta në Bosnjë, në vitin 1992, Divjak e gjeti veten në një pozitë të ngjashme me Baroviqin.

Me ushtrinë jugosllave dhe forcat paramilitare serbe që po zinin pozitat në dhe përreth Sarajevës dhe me të shtënat pa dallim ndaj civilëve, Divjak e bëri zgjedhjen e tij. Ai zgjodhi radhët e atyre që e mbronin qytetin, i cili së shpejti do të rrethohej. Në atë kohë, vendimi i tij do të mund të përshkruhej si vetëvrasje, marrë parasysh mundësitë që ishin në favor të forcave të armatosura serbe.

Sado që duket e pamundur, Sarajeva rezistoi, e po ashtu edhe Divjaku.

Edhepse Karaxhiqi e Mlladiqi lanë gjurmë gjaku kudo në Bosnjë, ata nuk triumfuan. Lufta dhe rrethimi zgjati edhe për 3 vite e gjysmë, e gjatë kësaj kohe Divjak u bë zëvendëskomandant i Ushtrisë Boshnjake. Ai thjeshtë mund ta kthente shpinën, por qëndroi për ta ndihmuar dhe koordinuar rezitencën kundër një armiku më të fortë e të pamëshirshëm.

Në Serbi, ai ishte shpallur tradhëtar dhe një urdhër arrest ishte lëshuar ndaj tij, me akuza të sajuara. Në vitin 2011, ai ishte ndalur në Vjenë, bazuar në urdhër arrestin e Serbisë. Pasi kaloi disa ditë në një burg austriak, dhe disa muaj në burg shtëpiak, ai përfundimisht pastroi emrin e tij. Gjykatësi austriak e pranoi se nuk kishte dëshmi që mbronin akuzat kundër tij.

Divjak akutalisht udhëheq një organziatë jo-qeveritare në Sarajevë, e cila ofron bursa për fëmijët boshnjakë që i kanë humbur prindërit në luftë. Nuk do të ishte ekzagjerim nëse thuhet se duke iu falenderuar Divjakut, serbët kanë pasur mundësi të jetojnë në Sarajevë pas luftës, pa u ndier të turpëruar.

Ai e bëri të mundur këtë gjë duke e marrë vendimin e duhur në një kohë shumë të vështirë. Sa gjatë do t’u duhet serbëve që ta shohin se Gjenerali Divjak duhet të nderohet, e jo Gjeneral Mlladiqi, i cili urdhëroi bombardimin e Sarajevës dhe u mbrojt nga autoritetet serbe deri në maj të vitit 2011?

Gjatë paraburgimit në Austri, shërbimi për Ballkanin i Radios Evropa e Lirë kishte kërkuar nga Divjaku që ta mbante një ditar. Në një nga shkrimet e tij në ditar shkruhet:

“Ballkani është një vend fatkeq dhe i trishtë. Fatkeq sepse ndodhet në një vend ku bota përplaset dhe përballen fuqitë e mëdha; ndërsa i trishtë për faktin se banorët e tij lejojnë lehtësisht të manipulohen nga udhëheqësit e tyre.”

Divjak sot nuk mund të shkel në Serbi, madje as për ta vizituar familjen e tij, pasi ai do të arrestohej menjëherë. Ai ende shihet si tradhëtar, edhepse ikundërshtoi vrarësit, që tashmë janë dënuar. Në Sarajevë, ai është jashtëzakonisht popullor në mesin e njerëzve të zakonshëm, ndërsa trajtimi nga udhëheqësia e Ushtrisë Boshnjake dhe e Qeverisë ka qenë indiferent.

Ballkani mund të duket si një vend i trishtë e fatkeq edhe për faktin se njerëzit e tij nuk janë në gjendje t’i dallojnë heronjtë e vërtetë.

Përgatiti: Valjeta Kosumi
XS
SM
MD
LG