Ndërlidhjet

logo-print

Baza e të dhënave e “Letrave të Panamasë” tani edhe online

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Gazetarët hulumtues kanë postuar online për herë të parë një bazë të të dhënave, e cila tregon për asetet dhe pasurinë jashtë vendit të politikanëve dhe njerëzve të njohur nga e gjithë bota.

Baza e të dhënave e Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Hulumtues, që mbulon më shumë se 200 mijë kompani inaktive në Panama, nga 9 maji mund të përdoret në faqen, offshoreleaks.icij.org.

Aty ka informacione të ndryshme, të nxjerra nga rrjedhja e miliona dokumenteve nga një firmë ligjore, Mossack Fonseka në Panama, e cila është e specializuar në krijimin e këtyre lloj kompanive inaktive, me qëllim të kryerjes së manovrave të ndryshme financiare.

Kjo firmë ligjore kishte provuar, por pa sukses, që ta bllokonte punën e këtij konsorciumi, i cili përfshin redaktorë e gazetarë nga dhjetëra vende.

Ky konsorcium veçse ka publikuar një seri të materialeve për figura të larta në gazeta dhe faqe të internetit kudo në botë, bazuar në “Letrat e Panamasë”.

Baza e të dhënave përmban hollësi për asetet e fshehura të qindra politikanëve, zyrtarëve, njerëzve të njohur e të famshëm, si dhe yjeve të sportit, të përmendur në këto storje.

Por, kjo bazë realisht përmban vetëm një fraksion të materialeve të “Letrave origjinale të Panamasë”. Aty përjashtohen emailat e kompanive, transaksionet financiare, pasaportat e skanuara, dhe dokumente të tjera origjinale, që janë pjesë e rrjedhjes masive.

Gjithashtu, jo secili pronar i një kompanie në “Letrat e Panamasë” paraqitet në bazën e të dhënave, që tashmë është publike, ka njoftuar Konsorciumi.

Sipas tyre, meqë disa informacione janë vetëm në emailat e firmës Mossack Fonseca dhe dokumentet e tyre të brendshme, ato nuk mund të nxirren sistematikisht.

Konsorciumi thotë se ka për qëllim ta ngrisë vetëdijen e publikut për mënyrat se si sistemet bankare jashtë vendit u mundësojnë individëve të pasur që t’u ikin taksave, përderisa zyrtarët e korruptuar qeveritarë kanë mundësi t’i fshehin plaçkitjet e tyre.

Përgatiti: Valjeta Kosumi
XS
SM
MD
LG