Ndërlidhjet

Trump dhe Ryan, “të angazhuar” për unitetin e Partisë Republikane


Donald Trump arrin në Komitetin Kombëtar Republikan për takim me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan. Uashington, 12 maj, 2016.
Donald Trump arrin në Komitetin Kombëtar Republikan për takim me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan. Uashington, 12 maj, 2016.

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, kanë thënë se janë “të angazhuar plotësisht” për unitetin e Partisë Republikane.

Dy zyrtarët kanë lëshuar një deklaratë, pas takimit që kanë zhvilluar të enjten.

Ata po bëjnë përpjekje të gjejnë gjuhë të përbashkët, pasi Ryan, i cili është vetë republikan dhe mban postin më të fuqishëm në Kongres, ka thënë se nuk do të mbështesë kandidaturën e Trumpit.

Ryan ka thënë se Trumpit i mungojnë parimet konservatore.

“Kemi pasur një bisedë të mirë këtë mëngjes. Kemi qenë të hapur për dallimet tona, por ka shumë fusha të rëndësishme ku kemi gjuhë të përbashkët”, kanë shkruar Trump dhe Ryan në deklaratën e përbashkët.

Ata kanë thënë se do të zhvillojnë “diskutime shtesë”, porse mendojnë se mund të bashkojnë partinë dhe të fitojnë zgjedhjet.

Në një konferencë për gazetarë, pas takimit, Ryan ka thënë se është “shumë i inkurajuar” me atë që ka dëgjuar nga Trump.

Në dhjetor të vitit 2015, Ryan ka kritikuar ashpër propozimin e Trumpit për t’iu ndaluar myslimanëve hyrjen në SHBA.

Por, të enjten, Trump ka zbutur qëndrimin e tij duke thënë se propozimi ka qenë “vetëm një sugjerim”.

XS
SM
MD
LG