Ndërlidhjet

Partitë kërkojnë zhbllokimin e Kuvendit


Ilustrim
Ilustrim

Bashkimi Demokratik për Integrim paralajmëron mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë për shqyrtimin e vendimit të kryetarit të parlamentit Trajko Veljanovski për shpërbërjen e këtij institucioni.

Partia shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim dhe partia maqedonase në opozitë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, bënë thirrje që Kuvendi i Maqedonisë të mblidhet sa më parë për t’i hapur rrugë zgjidhjes së krizës politike.

Deklaratat e tyre u bënë pas takimit me të dërguarin special nga Gjermania për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, Johanes Hajndëll.

“Ne i kemi dhënë qëndrimet e tona për zgjidhjen e krizës dhe si të kthehet Kuvendi. Ia bëmë me dije se ne kemi marrë masa që Parlamenti të vendoset në funksion. Dhe, pasi të rikthehet Parlamenti hapen shumë çështje për zgjedhje. Kemi konsultuar ekspertë se si ta arrijmë rikthimin e punës së Kuvendit. Do t’i kërkojmë të gjitha rrugët”, ka theksuar lideri I partisë shqiptare në pushtet Ali Ahmeti .

Edhe Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë përmes një komunikate me shkrim ka bërë të ditur se gjatë takimit me zotin Hajdëll janë diskutuar modalitet për thirrjen e mbledhjes së Kuvendit të Maqedonisë, shtyrjen e zgjedhjeve të caktuara më 5 qershor si dhe tërheqjen e vendimit të presidentit të Maqedonisë që të fal politikanët të cilët hetohen nga Prokuroria Speciale e Maqedonisë për mashtrime zgjedhore dhe përfshirje në vepra kriminale.

“Temë kryesore e bisedimeve ishin modalitetet se si të thirret Kuvendi dhe të anulohen zgjedhjet, si dhe shfuqizimi i vendimit të presidentit të Maqedonisë Gjorge Ivanov për abolim”, nënvizohet në komunikatën me shkrim të partisë së Zoran Zaevit.

Zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani i tha Radios Evropa e Lirë se BDI do të ngrejë iniciativë deri tek Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë gjatë ditës së sotme për të shqyrtuar vendimin e kryetarit të parlamentit Trajko Veljanovski për shpërbërjen e Parlamentit.

Nëse Kushtuesja konstaton se shpërbërja është bërë në kundërshtim me ligjet, në atë rast do të duhet të mblidhet Parlamenti sërish në një afat shumë të shkurtër kohor.

Në këtë drejtim ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, Trendafill Ivanovski për Radion Evropa e Lirë thotë se është shumë vështirë të konstatohet shkelja e ligjeve në një kohë kur, siç thotë, sistemi juridik tanimë një kohë të gjatë është tërësisht i paralizuar. Ivanovski tha se “parlamenti është shpërbërë në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë”

“Ka më shumë iniciativa që të thirret Kuvendi. E para ashtu siç mori vendim kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski që të shpërbëjë Parlamentin ai sërish vetë duhet ta thirrë mbledhjen e tij. Nëse ngritet iniciativë para Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë procedura mund të zgjatet, por nëse partitë kanë për qëllim që në këtë situatë të pakuptimtë krizën politike ta debllokojnë përmes Gjykatës Kushtetuese, atëherë gjërat mund të marrin një hov më të shpejtë nëse për këtë paraprakisht ka marrëveshje politike mes aktorëve kryesorë politik. Edhe pse e theksoj shpërbërja e parlamentit u bë në formë antikushtetuese”, thekson Ivanovski.

Ndërkaq edhe lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka theksuar se zhbllokimi i Kuvendit është iniciativë e mirë dhe nëse ka vullnet mund të zgjidhet çështja e krizës politike.

“Nuk kemi rrugëdalje tjetër, do të thotë për ta debllokuar kohën e krizës dhe ndalimin në vend të funksionimit të institucioneve ndoshta duhet të bëhet edhe ajo. Mirëpo kjo çështje ka të bëjë me shumë çështje të tjera për të cilat paraprakisht duhet të merremi vesh dhe mendoj se propozimi duhet të jetë pjesë e një pakete të marrëveshjes dhe jo propozimeve individuale. Pika e parë e jona është Parlamenti i ardhshëm të nisë me dy dhoma dhe aty shqiptarët të kenë veto për çdo vendim”.

I dërguari special i Gjermanisë për Maqedoninë, Johanes Hajndëll, vizitën e tij dy ditore pas takimeve me liderët e katër partive nënshkruese të marrëveshjes do të përfundoj me takimin kokë me kokë me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shkup Aivo Orav. Hajdëll për t’i dhënë shtytje procesit të zgjidhjes së krizës politike kthehet sërish javën që vjen në Maqedoni.

Ndërkohë që Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje partive politike që ta thirrin parlamentin, të anulojnë datën e zgjedhjeve të shfuqizohet vendimi I presidentit Ivanov për faljen e politikanëve dhe të përkushtohen në realizimin e marrëveshjes politike përkatësisht rekomandimeve të Pribesë.

XS
SM
MD
LG