Ndërlidhjet

Viteve të fundit, interesimi për adoptimin e fëmijëve të braktisur apo pa përkujdesje prindërore, është më i madh krahasuar me periudhat paraprake. Interesimi vërehet jo vetëm nga familje kosovare, por edhe ato jashtë saj.

Në rubrikën e përjavshme “Fokus” të Radios Evropa e Lirë, sjellim një material të zgjeruar në lidhje me interesimin dhe procedurat për adoptimin e një fëmije pa përkujdesje prindërore.

Procedurat, sipas hulumtimeve të bëra nga përfaqësues të organizatave që merren me të drejtat e fëmijëve, janë të stërzgjatura, por në përgjithësi konsiderohet se janë të rregulluara me ligj.

Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, thotë se kjo organizatë, ka bërë një hulumtim për mbrojtjen e fëmijëve të braktisur, i cili është fokusuar në tri shtylla.

Në legjislacion, i cili është i hartuar për mbrojtjen e fëmijëve të braktisur, përfshihet adoptimi dhe procedurat e adoptimit, funksionimi i sistemit dhe institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve të braktisur, zhvillimi i procedurave të adoptimit, si dhe shtylla e tretë për gjendjen e fëmijëve të braktisur.

Bazuar në të gjeturat e kësaj analize, del se ka mungesë të theksuar të punës në parandalim të braktisjes, ka moskoordinim të bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe ka paqartësi rreth procedurave për fëmijët e braktisur për zgjidhjen e statusit dhe adoptimin”.

“Pra, nuk ka unifikim të procedurave ndërmjet komunave. Ka neglizhencë të afateve ligjore dhe kohore, e që është e dëmshme për mbrojtjen e fëmijëve të braktisur".

"Në bazë të kësaj analize, del se problemi kryesor lidhur me fëmijët e braktisur, qëndron në vonesat për procedurat e zgjidhjes së statusit të tyre. Pa u zgjedhur ky status i fëmijëve të braktisur, nuk mund të zgjidhet forma e adoptimit të këtyre fëmijëve”, deklaron Kelmendi.

Ndryshe, në Kosovë, vetëm gjatë këtij viti janë braktisur 8 fëmijë. Ndërkaq, gjatë vitit 2015, në Kosovë janë braktisur 46 fëmijë, deklaron për Radion Evropa e Lirë, zyrtarja Magbule Koci, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Nga vitet paraprake, në vitin 2016 janë bartur gjithashtu 72 fëmijë.

Kurse, për procedurat e adoptimit ajo thotë:

“Sa i përket procedurave të adoptimit, si e rregulluar me legjislacionin aktual të aplikueshëm, dhe në bazë të këtyre dokumenteve, zhvillohen edhe procedurat e adoptimit, si te bashkëshkortët apo edhe si i vetëm”.

“Së pari duhet drejtuar në Gjykatat e Kosovës, në komunën ku jeton dhe më pas ajo kërkesë dërgohet te Qendra për Punë Sociale, në po atë komunë, për të bërë vlerësimin nëse është familje potenciale për të adoptuar fëmijë”.

Koci tregon se pos rasteve të adoptimit të fëmijëve pa përkujdesje prindërore nga familjet vendore, sivjet ka pasur edhe një adoptim ndërkombëtar.

“Sa i përket adoptimit të fëmijëve, paneli ,si trup profesional që funksionon në kuadër të Departamentit të politikave sociale dhe familjes, kanë trajtuar dhe aprovuar 9 raste të adoptimit vendor dhe një rast për adoptim ndërkombëtar, këtë vit”.

“Në vitin 2015, kanë qenë 103 raste të fëmijëve që janë bartur nga vitet paraprake, derisa si raste të reja janë evidentuar 46 fëmijë të braktisur. Gjatë këtij viti janë realizuar gjithashtu 18 bashkime familjare, me familje biologjike”, bën të ditur Koci.

Udhëheqësja e kujdesit alternativ në SOS-fshatin e fëmijëve, projekt ky për strehim afatshkurtër dhe afatmesëm për fëmijët nevojtar, Ariana Shala, ka shpjeguar kohë më parë për Radion Evropa e Lirë, për programet e veçanta që u ofrohen fëmijëve të braktisur.

“SOS- fshatrat e fëmijëve në Kosovë ofrojnë mbështetje për fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe fëmijët e braktisur, përmes programeve të caktuara. Në kuadër të SOS -fshatrave të fëmijëve, ekziston kujdesi alternativ, i cili ofron përkujdesje për fëmijë të braktisur dhe fëmijë pa përkujdesje prindërore”.

“Në kujdesin alternativ, kemi kujdesin afatshkurtër, i cili ofron përkujdesje për fëmijët e braktisur prej 0 deri në 3 vjet, ndërsa afati kohor i qëndrimit të tyre është 6 muaj deri në 1 vjet. SOS- fshati ofron përkujdesje, ndërsa aspekti legjislativ i takon Qendrës për Punë Sociale”, ka shpjeguar Shala.

Për rëndësinë e adoptimit të fëmijës, flasin edhe psikologët. Anduena Arrni, psikologe, thotë se rëndësia e birësimit deri në moshën njëvjeçare, është shumë e madhe.

“Sigurisht, është me rëndësi për fëmijët e braktisur që familja adoptuese të gjendet sa më shpejt. Hulumtimet tregojnë se ndarja e fëmijës nga nëna deri në moshën 1 vjeçare, mund të jetë fatale si për shëndetin fizik po ashtu edhe psikik. Këtë e vërteton vdekshmëria e foshnjave që rriten pa nënën biologjike, apo adoptuese".

"Gjithashtu, edhe personaliteti i fëmijës formohet nga lindja deri në moshën 6 vjeçare dhe është shumë e rëndësishme që fëmija të rritet në një ambient familjar të ngrohtë sa më herët që është e mundshme, prej braktisjes së tij”, thotë Arrni.

Ndërkaq, Ariana Shala ka shpjeguar edhe për programet brenda SOS-fshatit, që ofrohen për fëmijët pa përkujdesje prindërore edhe pas moshës 18- vjeçare:

‘’Përveç kujdesit afatshkurtër, SOS-fshati i fëmijëve ofron edhe kujdes afatgjatë për fëmijët që për arsye të ndryshme, e humbin kujdesin prindëror".

"Në kuadër të kujdesit afatshkurtër, kemi SOS-familjen që ofron kujdes 24 orësh për fëmijët, ku është SOS-nëna që kalon nëpër shumë trajnime për përgatitjen për kujdesin e 6 fëmijëve që asaj i besohet. Këtu ka fëmijë nga mosha 0 deri në moshën 14-vjeçare, ndërsa pas kësaj moshe, fëmijët dërgohen në shtëpinë e rinisë, ku punohet me ta në zhvillimin e shkathtësive të tyre”.

Zyrtarë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se për strehimin familjar, vazhdon të aplikohet pagesa e rregullt mujore në bazë të udhëzimit administrativ që rregullon këtë çështje.

150 euro është shuma në baza mujore, që këta fëmijë marrin nga Qendra për Punë Sociale, derisa për muajin e parë që fëmija vendoset në familje, jepet edhe një shumë shtesë prej 75 eurosh. Ndërkaq, për fëmijët me nevoja të veçanta janë të ndara 250 euro si pagesë mujore.

Fëmijët me nevoja të veçanta, janë ata që më pak adoptohen nga shtetasit e Kosovës, por këta fëmijë i adoptojnë më shumë ndërkombëtarët, kanë deklaruar zyrtarë institucionalë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG