Ndërlidhjet

Eurovizion: Jamala fitoi me këngë me përmbajtje politike


Përfaqësuesja e Ukrainës, Jamala, ka fituar në garën për këngën më të mirë të Eurovizionit, që është ngjarja më e madhe televizive evropiane.

Këngëtarja Jamala, tartare nga Krimeja, 32 vjeçare, është shpallur fituese pasi mori numrin më të madh të votave nga juritë dhe shikuesit televiziv në gjithë Evropën.

Ajo e këndoi këngën “1944” që e trajtonte deportimin masiv të tartarëve të Krimesë nga ana e Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vlerësohet se kjo është njëra ndër këngët më kundërthënëse fituese në historinë e këtyre garave, për shkak të toneve politike.

Organizuesit thanë se kënga e saj nuk paraqet shkelje të rregullave të Eurovizionit, që nuk lejojnë interpretimin e këngëve që përmbajnë “tekste, fjalime ose gjeste të natyrës politike ose të ngjashme”.

Ajo këtë këngë ia ka kushtuar stërgjyses së saj, e cila ishte deportuar në Azinë Qendrore në vitin 1944 së bashku me gjithë pjesëtarët e popullit tartar të Krimesë, që është popull autokton mysliman.

Shumë prej 250 mijë njerëzve të deportuar kanë vdekur gjatë udhëtimit për shkak të urisë dhe sëmundjeve.

Tartarët e Krimesë nuk janë lejuar të kthehen në gadishullin e Krimesë, deri në fund të viteve të 80-ta.

Jamala tha se kënga e saj është, po ashtu, denim i aneksimit të Krimesë dhe represionit ndaj tartarëve të Krimesë, të cilët fuqishëm e kanë kundërshtuar aneksimin nga ana e Rusisë.

Në vigjile të fitores së saj, ajo theksoi se kërkimet e fundit dhe arrestimet e tartarëve të Krimesë më 12 maj, e kanë bërë më “të rëndësishme” këngën e saj.

“Jam e dëshpëruar për shkak të gjërave që aktualisht po ndodhin në Krime, por shpresoj se çdo gjë do të jetë në rregull”, tha Jamala.

Emri i vërtetë e i saj është Susana Jamaladinova, dhe ajo është e lindur në Kirgizi, ku familja e saj ishte strehuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më vonë, familja e saj ishte kthyer në Krime. Por Jamala nuk është kthyer në Krime prej aneksimit nga ana e Rusisë. Prindërit e saj dhe familja e gjërë ende jetojnë atje.

Kënga e saj, që përdorë tekst në gjuhën angleze dhe një kor që këndon në gjuhën e tartarëve të Krimesë, fillon në këtë mënyrë: “kur të huajt arrijnë, ata vijnë në shtëpinë tuaj, ata ju vrasin juve të gjithëve dhe thonë _ nuk jemi fajtorë”.

Duke e marrë çmimin në skenën e Eurovizionit, Jamala ka kërkuar “paqe dhe dashuri për çdokend” dhe ka borohoritur “lavdi për Ukrainën”.

Duke u shprehur për planet e saj, ajo theksoi:

“Kuptohet, do të punoj në albumin tim të ri dhe mendoj se kjo do të ndodh shumë shpejt”, u tha Jamala gazetarëve në Stokholm.

Jamala i fitoi 534 pikë.

Australia u plasua në vendin e dytë me 511, ndërsa Rusia doli e treta me 491 pikë.

Këtë shou, ku merrin pjesë 26 finalistë, vlerësohet se e kanë shikuar afro 200 milionë njerëz në Evropë, Kinë, Australi, Zelandë të Re dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, e përshëndeti paraqitjen e Jamalës duke thënë se ishte “një fitore e pabesueshme”.

Rrjedhimisht, gara e vitit të ardhshëm e Eurovizionit për këngën më të mirë, do të mbahet në Ukrainë.

Ukraina ishte fituese e Eurovizionit edhe në vitin 2004.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG