Ndërlidhjet

Kosovë: Rasti Kleçka, Limaj dhe të tjerët – të pafajshëm


Fatmir Limaj
Fatmir Limaj

Gjykata e Apelit në Kosovë ka shpallur të pafajshëm deputetin, Fatmir Limaj, dhe nëntë ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që të gjithë të akuzuar për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999.

Vendimin e Gjykatës së Apelit, e ka konfirmuar sot Tahir Rrecaj, avokat i Fatmir Limajit, gjatë një konference për media.

“Kam kënaqësinë dhe nderin që të ju komunikojë lajmin, se dje kemi marrë konfirmimin me shkrim nga Gjykata e Apelit të Kosovës se është refuzuar ankesa e prokurorit special të paraqitur kundër gjykimit të shkallës së gjykatës së parë të gjyqtarëve të EULEX-it, më të cilin aktgjykim Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarët e tij, të gjithë ishin liruar nga aktakuzat për krime lufte”, ka thënë Rrecaj.

Procesi në atë që njihet si "Rasti Kleçka", ka theksuar avokati Rrecaj, ka marrë fund me vendimin e Gjykatës së Apelit në Kosovë.

Nga ana tjetër, Fatmir Limaj ka theksuar se ‘Gjykata e apelit edhe një herë ka konfirmuar pafajësinë tonë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’.

“Sot unë për herë të pestë marr konfirmim të drejtësisë, marr konfirmim të luftës time të pastër. Sot për herë të pestë edhe një herë vërtetohet se lufta ime ka qenë e drejt dhe me përkushtim”, është shprehur Limaj.

Ndryshe, në shtator të vitit 2013, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur të pafajshëm, Fatmir Limajn dhe nëntë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por, në atë kohë me ankesën e ish-prokurorit, Maorizio Salustro, rasti Kleçka kishte shkuar edhe në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG