Ndërlidhjet

Papunësia dhe varfëria, brengat e të rinjve në veri


Ilustrim
Ilustrim

Hulumtimi të cilin e ka bërë Klubi edukativ rinor “Sinergija” nga Mitrovica e veriut, nxjerr në pah se mbi 60 për qind të të rinjve në komunat e veriut të Kosovës përballen me papunësinë.

Por, sipas këtij hulumtimi, ata ballafaqohen edhe me probleme sikurse dhuna në familje, sistemi i dobët arsimor, varfëria dhe kriminaliteti.

Igor Simiq, hulumtues në kuadër të këtij projekti, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se hulumtimi ka treguar që të rinjtë nuk janë të kënaqur me situatën në të cilën jetojnë dhe me rrethanat në të cilat gjenden. Por, sipas tij, ata nuk janë të gatshëm që të kyçen në procesin e zgjidhjes së problemeve.

“Është dëshpërues fakti që ata nuk janë të gatshëm që të në mënyrë aktive të kyçen dhe me institucionet, organizatat joqeveritare, si dhe me qeverisjen lokale t’i zgjidhin problemet e tilla. Porosia ime për këto organizata është që t’i përfshijnë të rinjtë, tu japin mbështetje dhe mundësi që në mënyrë aktive të kyçen në procesin e vendimmarrjes dhe krijimit të programeve që janë të dedikuara për përmirësimin e pozitës së tyre”, ka thënë Simiq.

Një tjetër e dhënë që del nga ky hulumtim është se 81 për qind e të rinjve nga mosha 15 deri 30 vjeç, dëshirojnë ta braktisin veriun e Kosovës. Madje 30 për qind e tyre, këtë dëshirojnë ta bëjnë përgjithmonë. Të rinjtë nuk janë të kënaqur me ato që u ofrojnë komunat në të cilat jetojnë.

Më shumë se 65 për qind e të anketuarve nuk e di se kujt duhet drejtuar në rast se kanë ide për të marrë iniciativa, të cilat do ta përmirësonin pozitën e tyre.

Ndërkaq, vetëm 18 për qind e të anketuarve kanë thënë se do t’i drejtoheshin komunës për një gjë të tillë. Rreth 80 për qind e të rinjve në veri të Kosovës konsiderojnë se nuk kanë ndikim në procesin e vendimmarrjes në nivelin lokal.

Më shumë se 50 për qind e tyre, besojnë që e ardhmja do të jetë edhe më e keqe në raport me të tashmen.

Milica Andriq, drejtoreshë e programit në organizatën joqeveritare “Aktiv”, ka thënë se është befasuese që të rinjtë e kanë radhitur dhunën në familje si një nga tre problemet kryesore.

“Nuk më ka frikësuar fakti që mbi 70 për qind e të rinjve dëshirojnë të shkojnë nga këtu, sepse konsideroj që të rinjtë kështu mendojnë, të gjithë duan të shkojnë diku. Mua më frikëson fakti kur kjo përqindje është e lartë edhe mbi moshën 30 vjeçe dhe kjo tregon për një numër të madh të problemeve, të cilat e bëjnë të pamundur jetën këtu”, tha Andriq.

Mospjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje në qeverisjen lokale, Andriq e sheh si pasojë e të qenit, siç thotë ajo, ndërmjet dy sistemeve, të Kosovës dhe të Serbisë.

Abdullah Hashani, 18 vjeç, nga Kroi i Vitakut në Mitrovicë të veriut, i cili e quan veten mysliman, thotë se diskriminimi fetar ka qenë problem me të cilin është ballafaquar më herët. Por, sipas tij, vetëbesimin e ka arritur duke marrë pjesë në Klubin rinor “Sinergija”.

“Sa kam qenë i vogël, të gjithë kanë pasur mendim të keq për mua, për shkak të nacionalitetit tim. Ka ndodhur që disa fëmijë nuk kanë dashur të shoqërohen me mua, jo për shkak se ata nuk kanë dashur, por, me siguri se edhe prindërit e tyre kanë pasur mendim të keq për ne, për nacionalitetin dhe besimin tonë. Në shkollë fillore ka ndodhur që më kanë thënë se unë nuk di asgjë. Mendoj se gjithë kjo ka ndryshuar kohët e fundit, por ende mbetet aktuale”, tha Hashani.

Anas Tatar, një i ri 16 vjeç nga Mitrovica e veriut, i cili thotë se është mysliman, sipas tij, problemi më i madh është dhuna.

“Të rinjtë rrihen nëpër rrugë. Ka më shumë të rinj në burg sesa të moshuar. Probleme tjera janë alkooli dhe narkotikët. Ka në sasi të mëdha. Moshatarët e mi konsumojnë alkool dhe narkotik, këtë e kam hetuar”, tha Tatar.

Nemanja Bishevac, përfaqësues i Parlamentit studentor, vlerëson se çështja e sigurisë mbetet problemi më i madh.

“Mendoj se të rinjtë nuk ndjehen të sigurt mjaftueshëm dhe lirinë e lëvizjes e kanë të kufizuar. Në anën tjetër, një nga problemet kryesore është mungesa e ngjarjeve kulturore dhe manifestimeve sportive”, ka theksuar Bishevac.

XS
SM
MD
LG