Ndërlidhjet

OKB: Këshilli i Sigurimit e filloi debatin për Kosovën


Pamje nga një mbledhje e mëparshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara
Pamje nga një mbledhje e mëparshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka filluar debati për situatën në Kosovë.

Kosovën në këtë seancë e përfaqëson ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku.

Në këtë seancë, bazë për diskutim është raporti tremujor i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, për gjendjen në Kosovë, në periudhën prej 16 janarit e deri më 15 prill të këtij viti.

Në pjesën e raportit për çështjen e sigurisë, theksohet se në përgjithësi ajo mbetet stabile, megjithqë “tensionet politike kanë prodhuar një numër të rëndësishëm të incidenteve, përfshirë protesta të dhunshme, sulme dhe kërcënime kundër zyrtarëve dhe dëmtim të pronës private dhe qeveritare”.

Mëtutje, në raportin e Ban Ki-moonit, që është publikuar në faqen në Internet të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, theksohet se “situata e sigurisë në komunitetet jo-shumicë mbetet stabile dhe ishte ndikuar më pak nga dhuna politike, megjithqë policia i ka shtuar patrullimet në gjithë Kosovën, e veçanërisht në pjesën veriore”.

Në raport theksohet se “numri i incidenteve të raportuara, që kanë të bëjnë me komunitetet jo-shumicë, kanë shënuar rënie, në krahasim me periudhën e njejtë në vitin 2015”.

XS
SM
MD
LG