Ndërlidhjet

logo-print

Kufijtë që tenton t’i zhdukë Shteti Islamik


Një hartë e ardhshme hipotetike e Irakut dhe Sirisë.

Një hartë e ardhshme hipotetike e Irakut dhe Sirisë.

Shkruan: James Miller

Njëqind vjet më parë, më 16 maj të vitit 1916, përfaqësues të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Francës, me pëlqimin e Rusisë, janë takuar fshehurazi dhe kanë nënshkruar atë që njihet si Marrëveshja Sykes-Picot. Pakti, i nënshkruar në mes të Luftës së Parë Botërore, ka ndarë Perandorinë Otomane në sfera të kontrollit perandorak. Ai shpesh është konsideruar përgjegjës për krijimin e kufijve aktualë të Lindjes së Mesme.

Marrëveshja është kritikuar shumë në vitet e fundit, sidomos pas pushtimit të Irakut nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2003, sepse shumë kufij të saj nuk janë vetëm simbol i imperializmit të huaj, por po ashtu pasqyrojnë mungesën e të kuptuarit të Lindjes së Mesme, atëherë dhe tani. Grupet etnike janë ndarë përtej kufijve. Dhe, kur dhuna sektare ka shpërthyer në Irak, pas rënies së Saddam Husseinit, shumë kanë fajësuar Marrëveshjen Sykes-Picot për vënien e grupeve etnike kundër njëra-tjetrës.

Të kuptuarit e Marrëveshjes Sykes-Picot është po ashtu e rëndësishme për të kuptuar ideologjinë, ose së paku propagandën e grupit militant Shteti Islamik (IS). Në verën e vitit 2014, organizata terroriste ka pushtuar territore të mëdha në Irak dhe Siri. Grupi më pas ka thënë se ka ndryshuar emrin nga Shteti Islamik i Irakut dhe Al-Shamit në vetëm “Shteti Islamik”.

Sipas mesazhit të Shtetit Islamik, ai nuk është më organizatë që operon brenda dy vendeve; ai vetë është shtet dhe, me krijimin e një kalifati islamik në rajon, është duke shkatërruar gjurmët e imperializmit të huaj. Mediumi i lidhur me Shtetin Islamik, Al-Hayat, ka publikuar një video të quajtur “Fundi i Marrëveshjes Sykes-Picot”, e cila ka treguar shkatërrimin e kufirit midis Irakut dhe Sirisë. Një luftëtar i Shtetit Islamik ka bërë një video-turne, me një anglishte të pastër, në një kalim kufitar, i cili është braktisur nga ushtarët. I ashtuquajturi kufi, sipas luftëtarit militant, është themeluar nga udhëheqësit arabë dhe imperialistët perëndimorë. Sipas tij, nuk ka kufi, bota i takon Allahut, “ne të gjithë jemi një vend” dhe territori që kontrollon Shteti Islamik nuk duhet të ndahet. Ai ka cituar udhëheqësin e Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, të ketë thënë si ai është “prishës i barrierave”.

Në videon propagandistike, Shteti Islamik ka thënë se Marrëveshja Sykes-Picot është simbol i ndërhyrjes së jashtme, por grupi militant po ashtu e ka modifikuar këtë mesazh për qëllime të tij dhe, ç’është më e rëndësishmja, duke akuzuar udhëheqësit myslimanë për pjesëmarrje në këto krime.

Realiteti, megjithatë, është shumë më i komplikuar. Ekziston një argument që nuk duhet harruar: marrëveshjet e bëra në vitet 1920 në konferencën e San Remos, të cilën e kanë ndjekur udhëheqës nga Britania, Franca, Italia dhe Japonia, janë përgjegjëse për kufijtë e brendshëm, që dihen sot. Pavarësisht kësaj, këto marrëveshje nuk i kanë vendosur kufijtë e brendshëm, por vetëm kufijtë e mëdhenj perandorakë. Sara Pursley, historiane që punon në Lindjen e Mesme, ka theksuar se harta e vizatuar nga Sykes-Picot në fakt i ngjan më shumë hartës që përdor Shteti Islamik sesa kufijve të njohur gjeopolitikë.

Me fjalë të tjera, përçarja mes myslimanëve që jetojnë në zemër të atij që sot është territor i Shtetit Islamik ka bërë që kufijtë të themelohen aty ku janë.

Por, mesazhi i Shtetit Islamik duket se nuk po bën punë. Nëse qëllim i grupit militant është të frymëzojë të tjerët që të thyejnë kufij dhe të bashkohen nën një shtet të vetëm islamik, nuk duken shenja se ai po has në një dëshirë të gjerë kolektive.

Pavarësisht propagandës së Shtetit Islamik dhe 100 vjet pas Marrëveshjes Sykes-Picot, duket se ka pak oreks për rishkrimin e hartës së Lindjes së Mesme. (V.Tela, Evropa e Lirë )

XS
SM
MD
LG