Ndërlidhjet

logo-print

LGBTI marshon në Prishtinë me moton "Dashuria jonë është Kushtetuese"


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ambasadori amerikan Greg Delawie dhe ambasadori britanik Ruairi O'Connell.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ambasadori amerikan Greg Delawie dhe ambasadori britanik Ruairi O'Connell.

Në Prishtinë sot është mbajtur një marsh i komunitetit LGBTI me moton; “Dashuria jonë është Kushtetuese”. Marshit i janë bashkuar presidenti Hashim Thaçi, ambasadorë të akredituar në Kosovë si dhe eurodeputetja Ulrike Lunacek.

“Kosova me kushtetutë u jep të drejtë të gjithëve të kenë jetën e tyre. Çdo qytetarë i vendit i ka të drejtat e tyre dhe këto të drejta ata duhet t'i shfrytëzojnë”, ka thënë Thaçi.

Ai ka potencuar se Kosova është evropiane dhe të gjitha të drejtat e çdo komuniteti janë të garantuara.

Ndërkaq eurodeputetja Ulrike Lunacek, e cila po qëndron në Kosovë në kuadër të vizitës së një delegacioni nga Parlamenti Evropian ka thënë se priste që të kishte edhe më shumë njerëz në këtë organizim për të mbështetur këtë komunitet.

Mbështetje realizimit të drejtave të komunitetit LGBTI u kanë dhënë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie si dhe ai britanik, Ruairi O’Connell.

Ky marsh u organizua në ditën kundër homofobisë. Raportet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë vënë në pah se sikundër në shumë vende tjera, edhe në Kosovë komuniteti LGBTI vazhdon të jetë i stigmatizuar.

Dita ndërkombëtare kundër homofobisë dhe transfobisë është organizuar nga tre organizata jo-qeveritare Qendra për Liri dhe Barazi - CEL, Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD dhe Qendra për Emancipim Shoqeror – QESh.

XS
SM
MD
LG