Ndërlidhjet

Regjistrimi i diasporës deri në fund të vitit


Me ofrimin e sezonit të verës, periudhë kjo kur në Kosovë vijnë për pushime qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës, Ministria e Diasporës ka shtuar aktivitetet që kanë të bëjnë me regjistrimin e diasporës dhe mërgatës.

Ky proces ka filluar në vitin 2013 dhe po vazhdon edhe gjatë këtij viti. Pjesë e këtij regjistrimi është çdo person që ka vendbanim apo vendqëndrim jashtë Republikës së Kosovës, që ka lindur ose ka prejardhje nga Kosova.

Zëdhënësi i Ministrisë se Diasporës, Lorik Pustina për Radion Evropa e Lirë, ka treguar se vitin e kaluar janë evidentuar rreth 200 mijë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës. Kurse të dhënat e reja të këtij viti, sipas tij, pritet që të bëhen publike në fund të muajit dhjetor.

“Në këtë kontekst ne tashmë e kemi filluar fushatën tre mujore, sikurse ka qenë edhe vitin e kaluar, me moton; “Ti je pjesë e atdheut”, ku gjatë periudhës verore, kur bashkatdhetarët tanë do të vijnë në Kosovë për vizita ata do të familjarizohen më procesin e regjistrit dhe do të kemi regjistrim, besoj masiv, i cili do të reflektojë edhe në suksesin të cilin e kemi pasur si pasojë e kësaj fushate”, ka thënë Pustina.

Procesin për regjistrimin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, e konsiderojnë projekt të rëndësishëm dhe më interes të veçantë edhe demografët.

Profesori Rifat Blaku, demograf, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se është e domosdoshme të dihet se cili është numri i diasporës.

Qytetarët që jetojnë jashtë vendit, vijon ai, posedojnë një kapital të madh intelektual dhe financiar, dhe më një politikë të mirëfilltë të kthimit dhe migracionit, siç thotë ai, mund të paraqiten faktor i rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës, por edhe kthimin gradual të tyre në vendlindje.

“Natyrisht që procesi i filluar, gradualisht duhet të vazhdojë edhe pse është mjaft kompleks. Por, shpresojmë që ky proces do të ketë rezultate pozitive dhe të dihet se sa i madh është numri i atyre që në rrethana të ndryshme, nga e kaluara e pa fat, janë detyruar të braktisin Kosovën dhe të kërkojnë shpresë dhe jetë më të mirë në botën e jashtme”, ka thënë Blaku.

Ndërkohë, Lorik Pustina tregon se në bazë të regjistrimit të deritashëm vërehet se numri më i madh i qytetarëve të Kosovës jetojnë në shtetin e Gjermanisë, pasuar nga Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, procesi i regjistrimit fizik, pritet të përfundojë në fund të këtij viti, periudhë kjo kur pritet të publikohen edhe rezultatet përfundimtare.

“Ndërsa përditësimi, pasi kemi të bëjmë më regjistrim dhe përditësimin, do të vazhdojë gjatë gjithë kohës, pasi është proces dinamik. Struktura demografike e diasporës tonë, sikurse edhe gjithë njerëzve tjerë është dinamike. Njerëz të rinj lindin, njerëz të moshuar vdesin, ka ndryshim të vendbanimeve, ka ndryshim të shkollimit apo ndryshim të statusit social. Prandaj, ky proces do të vazhdojë me përditësim gjatë gjithë kohës”, ka thënë ai.

Sipas disa të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vlerësohet se janë rreth 700 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, shumica prej tyre në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

XS
SM
MD
LG