Ndërlidhjet

Pavarësisht armëpushimit, sërish luftime në Nagorno - Karabakh


Ilustrim
Ilustrim

Një ushtar i Azerbajxhanit dhe një luftëtar separatist armen raportohet se janë vrarë sot në rajonin e Nagorno-Karabakhut, në luftimet më të ashpra që nga beteja vdekjeprurëse e para gjashtë javëve, ku mbetën të vrarë më shumë se dhjetë njerëz.

Këto luftime vijnë vetëm një ditë pasi presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe homologu i tij armen, Serzh Sarkisian, u pajtuan që ta respektojnë armëpushimin dhe të provojnë t’i rinisin bisedimet për paqe.

Marrëveshja ndërmjet të dy liderëve erdhi pas bisedimeve të djeshme në Vjenë, të ndërmjetësuara nga SHBA, Rusia, dhe Franca, nga i ashtuquajturi Grup i Minskut.

Përveç zotimit për mbajtje të armëpushimit, Aliyev dhe Sarkisian gjithashtu u pajtuan që ta rrisin misionin monitorues të armëpushimit, të kryesuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE).

Misioni aktual i OSBE-së ka vetëm gjashtë vëzhgues në terren.

Ndërkohë, Sarkisian tha sot se ai “përgjithësisht është i kënaqur” me rezultatet nga takimi i djeshëm në Vjenë me Aliyevin.

Ndërsa sot, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për luftime.

Rajoni i Nagorno-Karabakhut, i cili është i populluar kryesisht me armenë etnikë, ka shpallur pavarësinë nga Azerbajxhani në mes të luftës që zgjati nga vitet 1988-1994, ku mbetën të vrarë rreth 30 mijë njerëz.

XS
SM
MD
LG