Ndërlidhjet

logo-print

Kur udhëtimi për në Bosnjë është më i vështirë se në BE

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Regjimi i vizave i vendosur ndërmjet Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës vazhdon ta vështirësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të mallrave ndërmjet dy vendeve dhe duhet gjetur një zgjidhje që të tejkalohet kjo gjendje, kanë vlerësuar pjesëmarrësit e konferencës së organizuar nga Iniciativa për bisedime të hapura, e cila është mbajtur të martën në Jahorinë.

Në këtë konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues të bizneseve, ekspertë të ekonomisë dhe shoqërisë civile nga Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova.

Mirsad Jasharspahiq, kryetar i Odës Ekonomike të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, ka thënë se për shkak të regjimit të vizave me Kosovën afaristët nuk mund t’i zhvillojnë bizneset e tyre, sidomos bizneset e mesme dhe të vogla.

“Është e pamundur që kompania ta zhvillojë biznesin me partnerin e saj në Kosovë, përderisa i duhet të mendojë se kush nga të punësuarit ka momentalisht ndonjë dokument apo vizë me të cilën mund të shkojë në Kosovë. Konsideroj që Bosnjë e Hercegovina nuk guxon në asnjë mënyrë që ta humbë këtë treg. Por, situata e tanishme, sigurisht që dërgon në drejtim të asaj që kompani të caktuara ta humbin tërësisht këtë treg”, ka thënë Jasharspahiq.

Svetlana Ceniq, analiste e çështjeve politike nga Banjalluka, ka theksuar se çështja e kompletimit të dokumenteve për të marrë vizën për lëvizje të lirë është mjaft e komplikuar dhe në fund as ato dokumente nuk pranohen.

“Sa familje ka këtu, të cilat kanë marrëdhënie familjare me Kosovën? Nuk është këtu vetëm çështja e vizave, por edhe i pranimit të dokumenteve dhe të drejtave themelore njerëzore. Bosnjë e Hercegovina është vend i cili e ka numrin më të madh të konventave për të drejtat e njeriut në kushtetutën e saj, por duket se askush nuk i respekton ato”, ka theksuar Ceniq.

Në konferencën në Jahorinë është arritur pajtimi që disa konkludime t’i dërgohen Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës. Ndër të tjera, që t’i lehtësohet qytetarëve të Kosovës marrja e vizave për të hyrë në Bosnjë e Hercegovinë, përmes ambasadave në Maqedoni ose Mal të Zi, të cilat do t’i verifikonin dokumentet, ndërkohë që Bosnjë e Hercegovina do t’i konsideronte ato si të vlefshme.

Në anën tjetër, Kosova ka vënë masa reciprocitet për regjim të vizave ndaj Bosnjë e Hercegovinës, pasi që kjo e fundit nuk e ka hequr këtë regjim ndaj qytetarëve të Kosovës.

Petrit Selimi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet e Kosovës janë të gatshme t’i heqin vizat në bashkëpunim me autoritetet e Bosnjë e Hercegovinës.

“Për aq sa kemi kuptuar, problemi qëndron në Banjallukë dhe jo në Sarajevë. Kjo është për keqardhje, sepse kosovarët, tashmë, me letërnjoftime mund të shkojnë në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi. Të vetmet shtete ballkanike që kanë regjim të vizave mbeten Bosnja dhe Kosova. E pësojnë qytetarët, studentët,biznesmenët; të dyja shtetet pësojnë. Por, shpresojmë që kjo kryeneçësi ballkanike do të gjejë solucion në kuadër të integrimeve evropiane”, thotë Selimi.

Emilija Rexhepi, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit boshnjak, thotë për Radion Evropa e Lirë se Bosnjë e Hercegovina, e në veçanti Republika Serbe, duhet ta zgjidhin këtë çështje urgjentisht.

“Heqja e regjimit të vizave ndaj qytetarëve të Kosovës është shumë e rëndësishme për ne boshnjakët që jetojmë në Kosovë, para së gjithash nga aspekti moral, duke na respektuar si diasporë. Madje, kemi boshnjakë me prejardhje prej Bosnjës. Nuk bëhet fjalë këtu vetëm për politikën, por vëllezërit tanë do të duhej që nga aspekti human sa më parë t’i heqin vizat dhe jo që Bosnja të jetë vendi i fundit në Evropë që duhet ta heqë regjimin e vizave”, tha Rexhepi.

Në muajin shkurt, në Kosovë ka qëndruar deputeti i Partisë së Aksionit Demokratik në Dhomën Përfaqësuese të Parlamentit të Bosnjë e Hercegovinës, i cili me këtë rast pati theksuar se kanë nisur bisedimet për lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

Pavarësisht që anëtari serb i Kryesisë së Bosnjë e Hercegovinës, Mladen Ivaniq, pati thënë se përderisa ai është në atë funksion, Bosnjë e Hercegovina nuk do ta njohë Kosovën, Mehmedoviq, kishte theksuar se megjithatë ekziston energji pozitive për gjetjen e një modeli për lëvizje të lirë.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG