Ndërlidhjet

Jamala: Fitova me vlera artistike të këngës e jo politike


Jamala
Jamala

Përfaqësuesja e Ukrainës në Eurovizion, Jamala, i ka hedhur poshtë pretendimet se fitorja e saj ishte arritur më tepër për arsye politike sesa artistike dhe ka vlerësuar se triumfi i saj është “absolutisht, fitore 100% e muzikës”.

Jamala, të cilën triumfi në garën e mbajtur në Stokholm të Suedisë e ka bërë hero në Ukrainë, në konferencën e djeshme për shtyp në Kiev e ka mbrojtur këngën e saj “1944” duke sugjeruar se nuk është e sinqertë nga Rusia të argumentoj se Eurovizioni mund të jetë ngjarje krejtësisht jopolitike, kur këngëtarët i përfaqësojnë vendet e tyre në garë.

Zyrtarët rusë janë ankuar zëshëm, duke theksuar se kënga e Jamalës, nuk është dashur të lejohet të interpretohet, në bazë të rregullave që e ndalojnë përmbajtjen politike në interpretime.

Këngëtari rus, Sergei Lazarev, nga shumë njerëz ishte favorit për fitore, por në fund doli i treti.

Por, Jamala e ka hedhur poshtë këtë pretedim në mënyrë kategorike:

“Mos u përpiqni të më mashtroni për të besuar se kjo është hera e parë që kjo garë ishte e politizuar. Çdo vit është parë si politike, pasi në momentin kur ju delni në skenë me flamurin e vendit tuaj, kjo është politikë”, tha Jamala në konferencën për gazetarë në Kiev.

Jamala, 32 vjeçare në Eurovizion fitoi me këngën për deportimet masive të tartarëve nga gadishulli i Krimesë në Detin e Zi nga diktatori sovjetik, Josef Stalin, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shumica prej 250 mijë njerëzve të deportuar, kanë vdekur gjatë rrugës ose pasi kanë arritur në Azinë Qendrore, për shkak të sëmundjeve dhe uria.

Këngëtarja Jamala, që është tartare, më parë ka thënë se kënga e saj paraqet, po ashtu, dënim të aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë në vitin 2014 dhe dënim të represioneve ndaj tartarëve, një grup minoritar mysliman, prej aneksimit.

Shumë tartarë të Krimesë, që përbëjnë 15% të popullatës gati dymilionëshe në Krime, e kanë kundërshtuar okupimin rus.

Në konferencën për shtyp, jama tha se konsideron se fitorja e saj është triumf për gjithë popullin e Ukrainës, meqë sipas saj, “ne e meritojmë atë” pas dy vitesh të trazirave dhe konfliktit, i shkaktuar pjesërisht nga Rusia.

“E para, ka pasur revolucion, pasoi aneksimi dhe lufta, prandaj ne patëm shumë vuajtje dhe unë kisha dëshirë të madhe për t’i sjellur kënaqësi popullit të Ukrainës”, tha Jamala.

E pyetur nga gazetarët, nëse ajo do ta pranonte shtetësinë e Rusisë nga përfaqësuesit e autoriteteve të instaluara nga Rusia në Krime, të cilat kanë sugjeruar se ajo duhet të bëhet shtase ruse për tu kthyer në Krime, Jamala është përgjigjur:

“Jo unë e kam një shtetësi dhe nuk më duhet tjetra”, tha Jamala.

Prej aneksimit nga ana e Rusisë, zyrtarët lokalë kanë bërë presion që popullata e gadishullit të marrë shtetësi ruse.

Mijëra banorë janë larguar nga Krimeja dhe kanë shkuar në vise të tjera të Ukrainës, ndërsa shumë të tjerë që mbeten në gadishull, vazhdojnë t’i rezistojnë presionit për shtetësi ruse.

Pasi ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Janukovych, që ishte i afërt me Rusinë, u largua për shkak të demonstratave masive proevropiane në shkurt të vitit 2014, Rusia e aneksoi Krimenë duke dërguar trupa dhe duke mbajtur refrendum, i cili është bojkotuar nga pjesa më e madhe e tartarëve të Krimesë.

Prej prillit të vititi 2014, nga lufta e forcave qeveritare të Ukrainës me separatistët e mbështetur nga Rusia, që i kanë nën kontroll pjesë të Ukrainës lindore, janë vrarë më se 9,300 vetë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG