Ndërlidhjet

UEFA: Si të organizohen duelet me vendet që nuk e njohin Kosovën


Një simpatizues futbolli me mbishkrimin Kosova
Një simpatizues futbolli me mbishkrimin Kosova

Duke u ballafaquar me probleme në vendosjen e Kosovës në grupet kualifikuese të Kupës Botërore në Futboll, UEFA e ka krijuar një grup punues për ta analizuar situatën dhe për të raportuar deri më 31 maj.

Sekretari i përgjithshëm i përkohshëm i UEFA-s, Theodore Theodoridis, tha sot se njëra prej çështjeve është organizimi i dueleve potenciale kundër vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Javën e kaluar, FIFA e ka pranuar Kosovën dhe Gjbraltarin si anëtarë të rregullt, dhe ka kërkuar nga UEFA të gjej vend për to në grupet kualifikuese për Kupën Botërore në vitin 2008.

Grupet kualifikuese fillojnë në muajin shtator të këtij viti.

Në një grup gjenden Bosnjë Hercegovina, Qiproja dhe Greqia, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Në anën tjetër, edhe Ukraina, që është në grup tjetër, nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Vendet duhet t’i respektojnë të gjitha vendimet e FIFA-s, pasi kjo është Kupë Botërore”, ka thënë këtë javë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Një tjetër shqetësim për Kosovën paraqet çështja se cilët lojtarë mund të luajnë për Kosovën.

Rregullat e FIFA-s nuk u lejojnë lojtarëve ta ndryshojnë lojalitetin, por ka pasur spekulime se mund të ketë përjashtim për Kosovën, që do të mund të ketë ndikim të madh në kombëtaren e Zvicrës dhe Shqipërisë, që kanë futbollistë me origjinë nga Kosova.

Në rastin e Zvicrës, kemi të bëjmë me disa lojtarë të nivelit më të lartë, siç janë Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Valon Behrami.

Drejtori juridik i UEFA-s, Alasdair Bell, tha se “indikimet janë që nëse lojtari i zgjedhur të luajë për Zvicrën, për shembull, kur ai ka shtetësi të dyfisht përfshirë atë të Kosovës, atëherë ai nuk do të ketë mundësi t’i ndryshoj ekipet”.

XS
SM
MD
LG