Ndërlidhjet

Gjenden në Mesdhe pjesë të aeroplanit të EgyptAir


Avioni i EgyptAir
Avioni i EgyptAir

Ushtria e Egjiptit bëri të ditur të premten se ka gjetur pjesë të aeroplanit të zhdukurt të EgyptAir, 290 kilometra në veri të qytetit mesdhetar, Aleksandri.

Marina egjiptiane gjeti disa objekte që u takonin udhëtarëve dhe tani po e zgjeron perimetrin e kërkimeve për kutinë e zezë të aeroplanit.

Aeroplani i kompanisë ajrore egjiptiane me 66 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit udhëtonte në vijën Paris-Kairo kur u zhduk, herët në mëngjes të ditës së enjte, mbi Detin Mesdhe.

Presidenti i Egjiptit Abdel Fattah al-Sisi, shprehu ngushëllimet e tij familjeve të viktimave që gjendeshin në aeroplan. Egjipti thotë se gjasat më të mëdha janë se aeroplani u rrëzua në një sulm terrorist, se sa që bëhet fjalë për ndonjë gabim teknik. Autoritetet egjiptiane të sigurisë po bëjnë verifikimin e udhëtarëve për t’u siguruar nëse ndonjëri prej tyre ishte i lidhur me terroristët.

Në Francë, ministri i jashtëm Jean-Marc Ayrault, tha të premten se “nuk ka absolutisht indikacione” për shkaktarët e rrëzimit.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë mbështetën këtë deklaratë duke thënë se është shumë heret për të përcaktuar shkaktarët e tragjedisë.

Por, disa zyrtarë egjiptianë thanë se mund të ishte një sulm terrorist dhe se lista e udhëtarëve po verifikohej për të përcaktuar nëse ndonjë ekstremist mund të ketë qenë në bord.

Presidenti francez, Franocis Hollande, tha më heret se asnjë hipotezë për shkakun e rrëzimit nuk mund të përjashtohet.

EgyptAir ka thënë se aeroplani po fluturonte në mbi 11000 metra lartësi kur u zhduk nga radari, menjëherë pasi hyri në hapësirën ajrore të Egjiptit.

Një aeroplan i së njëjtës kompani është rrëmbyer në muajin mars, teksa fluturonte nga Aleksandria për në Kajro. Aeroplani është detyruar të devijojë udhën dhe të aterojë në Qipro, ku rrëmbyesi ka kërkuar të shohë ish-gruan e tij.

Ai është dorëzuar pas gjashtë orësh dhe pengmarrja ka përfunduar në mënyrë paqësore.

Një tjetët aeroplan, Airbus A321, i operuar nga kompania ruse Metrojet, është rrëzuar tetorin e kaluar në Gadishullin Sinai të Egjiptit, duke shkaktuar vdekjen e të 224 njerëzve në bord.

Rusia dhe qeveritë perëndimore patën thënë se ky aeroplan është rrëzuar nga një bombë e vendosur brenda. Grupi militant Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për vendosjen e bombës. (REL)

XS
SM
MD
LG