Ndërlidhjet

logo-print

BE-ja miraton masat e suspendimit të shpejtë të vizave

  • RFE /RL

Bashkimi Evropian - Bruksel

Bashkimi Evropian - Bruksel

Ministrat e brendshëm të Bashkimit Evropian për herë të parë, të premten, kanë diskutuar rreth propozimit për heqjen e vizave për Kosovën, Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Turqinë duke miratuar fillimisht masat për përshpejtimin e procesit të suspendimit të liberalizimit të vizave në raste të keqpërdorimeve.

Ministri i brendshëm i Holandës, vendit që kryeson Bashkimin Evropian, Klaus Dijkhoff, ka thënë se për të katër shtete, të cilat duhet të përmbushin edhe disa kushte të mbetura, “heqja e vizave tash duket në horizont” por nuk ka qenë në gjendje të parashikojë ndonjë afat se kur mund të ndodhë një gjë e tillë. Ai ka thënë se procesi nuk është ndalur e as që është ngadalësuar.

Edhe ministri i Holandës, në cilësinë e kryesuesit të radhës por edhe komisioneri për punë të brendshme dhe migrim, Dimitris Avramopoulos, kanë thënë se miratimi i mekanizmave parandalues, në raste emergjente mund të ndihmojë që disa shtete, të cilat ende kanë dyshime, të pranojnë më lehtë që vizat të hiqen për qytetarët e këtyre katër shteteve: Kosovës, Ukrainës, Gjeogjisë dhe Turqisë.

Komisioneri Avramopoulos edhe një herë ka tërhequr vërejtjen se Kosova ende nuk i ka përmbsuhur të gjitha kushtet dhe duhet urgjentisht ta ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe të jep dëshmi për një luftë më të efektshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ka patur skepticizëm në mesin e ministrave lidhur me heqjen e shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës, por vendet në favor, mendojnë se do të mund të binden, sidomos nëse Kosova dëshmon më shumë rezultate në luftë kundër krimit të organizuar dhe në adresimin e problemit të radikalizmit fetar dhe ekstremizmit.

Përveç Këshillit të Bashkimit Evropian ku vendosin ministrat e brendshëm të vendeve anëtare me shumicë të kualifikuar, vendimin për heqjen e vizave duhet ta marrë edhe Parlamenti Evropian, i cili pritet të nisë procedurat javën e ardhshme. (REL)

XS
SM
MD
LG