Ndërlidhjet

Ethet e testit të arritshmërisë dhe maturës


Ilustrim

Ilustrim

Nxënësit që përfundojnë klasën e nëntë të shkollës se fillore dhe ata të cilët përfundojnë klasën e 12-të, të shkollës së mesme, sipas ligjit, e kanë obligim t’i nënshtrohen testit të arritshmërisë, respektivisht testit shtetëror të maturës.

Përgatitjet për mbajtjen e këtyre testeve tashmë kanë përfunduar. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kanë treguar se testi i arritshmërisë, i cili do të mbahet më 21 maj, do t’i nënshtrohen rreth 30 mijë nxënës në gjithë Kosovën, kurse rezultatet pritet të publikohen më 30 maj.

Ndërsa, testit shtetëror të maturës, më 4 dhe 18 qershor, do t’i nënshtrohen 36 mijë nxënës, të cilët e kanë përfunduar klasën e 12-të.

Përfundimi më sukses i këtij testi mundëson më pas aplikimin për studime në universitet.

Kryetari i Komisionit shtetëror të maturës, Azem Guri, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se risi gjatë këtij viti, është se nxënësit do t’i kenë 100 pyetje nga lëndët e përgjithshme dhe profesionale dhe jo 120 sa kanë qenë vitin e kaluar.

Ai ka treguar se broshurat apo fletëpalosjet janë dërguar në të gjitha shkollat e mesme në Kosovë.

“Matura shtetërore ka prag të kalueshmërisë, që nënkupton se nxënësit përkatësisht kandidatët, të cilët arrijnë 40 për qind të pikëve nga testi i maturës, e kalojnë maturën dhe në këtë rast, Këshilli shtetëror i maturës i pajis me certifikatë. Që do të thotë, maturantët me diplomë dhe certifikatë kanë të drejtë të aplikojnë në Universitet, përkatësisht në njësi akademike”, ka thënë Guri.

Sidoqoftë, ekspertë për çështje të arsimit jo gjithmonë kanë qenë të kënaqur me nivelin e kalueshmërisë të testit të maturës.

Dukagjin Pupovci, udhëheqës në Qendrën për Arsim të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se gjatë këtij viti, në testin e maturës, pret administrim më të mirë, por jo rezultate në cilësi.

Ai, madje, është shprehur se duhet të bëhen publike rajonet dhe shkollat ku nxënësit tregojnë më pak rezultate, në mënyrë që të rritet angazhimi në ato vende.

“Cilësi më të mirë nuk pres, por administrim po. Nëse do të ketë administrim më të mirë të testit, atëherë mendoj se do të kemi një pasqyrë reale të cilësisë së arsimit. Pra, rezultati do të mund të jetë më i dobët se sa ka qenë viteve të kaluara. Dhe është me rëndësi qëkjo mos të shihet në nivel të Kosovës, por të shihet në nivel të komunave dhe në nivel të shkollave”, ka theksuar Pupovci.

Këshilli shtetëror i maturës, është fokusuar në administrimin e maturës, ka thënë Azem Guri, duke shtuar se gjatë këtij viti pret rezultate më të mira, pasi, siç është shprehur ai, një nga objektivat e Ministrisë është rritja e cilësisë së arsimit në nivelin parauniversitar.

“Edhe në programin qeverisës të MASHT-it të prezantuar në Qeverinë e Kosovës, një nga objektivat kryesor është cilësia në arsim dhe mu për këtë, kjo ministri ka përgatitur Strategjinë e Sigurimit të Cilësisë, dokument që vitin e kaluar është miratuar në Qeveri. Tani do të thotë është një bazë e mirë ligjore për avancimin e cilësisë”, ka deklaruar Guri.

Ndryshe, përveç testit të maturës dhe atij të arritshmërisë, për cilësi të arsimit Kosova vitin e kaluar i është nënshtruar një vlerësimi ndërkombëtar, i njohur me emrin “PISA”, rezultatet e të cilit do të bëhen publike në fund të këtij viti.

Vlerësimi i radhës i këtij vlerësimi ndërkombëtar do të jetë në vitin 2018.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG