Ndërlidhjet

logo-print

“Bushtra që ka lindur Hitlerin është nxehur përsëri”

  • RFE /RL

Posterë të kandidatëve presidencialë në Austri

Posterë të kandidatëve presidencialë në Austri

Austria është thyese e tabuve në politikat evropiane, shkruan gazeta britanike Financial Times, duke komentuar zgjedhjet presidenciale në këtë vend.

Kandidati i pavarur, Alexander Van der Bellen, ka fituar zgjedhjet presidenciale atje me një diferencë fare të vogël votash nga rivali i ekstremit të djathtë, Norbert Hofer.

Udhëheqësit evropianë kanë thënë se frymojnë lirshëm nga humbja e Hoferit, i cili ka bërë fushatë kundër migrimit dhe kundër multikulturalizmit.

Por, sipas gazetës Financial Times, fitorja e Van der Bellen nuk është arsye për vetëkënaqësi dhe nga mbështetja e madhe për Hoferin do të përfitojnë edhe partitë e tjera në Evropë, si Fronti Kombëtar në Francë, të cilat ndjekin strategjinë e “dekontaminimit”.

“Në një klimë të krizës rreth migracionit, shoqëria e hapur kërcënohet jo vetëm nga partitë ekstremiste që arrijnë pushtetin, por edhe nga partitë e qendrës që përforcojnë të njëjtën logjikë ksenofobe. Ngjarjet e fundit në Austri tregojnë se politikat e frikës mund të dalin shpejt prej kontrollit”, shkruan gazeta Financial Times.

E njëjta kujton se kanë qenë partitë e qendrës ato që kanë bërë marrëveshje dypalëshe me fqinjët në Ballkan për të mos lejuar migrantët të hyjnë brenda.

Koalicioni qeverisës ka kufizuar në mënyrë drastike të drejtën e azilit, në kundërshtim me Konventën e Gjenevës, rikujton gazeta.

“Pas krizës me migrantë dhe sulmeve terroriste në Paris dhe Bruksel, politikat evropiane kanë lëvizur në të djathtë. Duke e bërë migracionin çështje të sigurisë, partitë e qendrës kanë përforcuar idenë se popullatat rrezikohen nga të huajt”, thuhet në artikullin e gazetës britanike.

Evropa ka shmangur mezi zgjedhjen e një ekstremisti të djathtë si kryetar shteti, shkruan në anën tjetër gazeta Independent. Dhe, siç ka thënë dikur shkrimtari Bertolt Brecht për Hitlerin, bushtra që e ka lindur atë është nxehur përsëri, citon gazeta.

Por, çfarë mund të bëhet? Independent shkruan se, në një periudhë afatmesme, zgjidhja e vetma është që brezat e rinj të pajisen me aftësi, produktivitet dhe paga për të udhëhequr jetë të dinjitetshme. Kjo kërkon udhëheqje vizionare, të guximshme dhe të ndershme, që për momentin nuk ka, shkruan Independent.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG