Ndërlidhjet

Zvogëlohet numri i shtetasve shqiptarë që marrin pjesë në luftërat në Siri


Luftëtarë të Frontit Al-Nusra në Siri
Luftëtarë të Frontit Al-Nusra në Siri

Shqipëria vlerësohet të jetë në mesin e vendeve që janë përdorur si pikëkalimi dhe vend origjine për nisjen e luftëtarëve për në Siri. Gjatë viteve 2012-2014, besimtarë me prirje fetare të radikalizuara janë nisur drejt Sirisë për t’iu bashkuar grupeve radikale në Siri, dhe më vonë edhe Shtetit Islamik.

Autoritetet e sigurisë në Shqipëri vlerësojnë se janë rreth 90 persona që u nisën drejt Sirisë gjatë viteve 2012-2014, me bindjen se do të bëheshin pjesë e një lufte të shenjtë. Në bazë të intervistave të të kthyerëve nga Siria, rekrutimi fetar përmes materialeve në internet, apo kontaktet me njerëz të të njëjtit besim ka ndikuar në nisjen e luftëtarëve drejt Sirisë.

Komuniteti Mysliman shqiptar është distancuar dhe u ka bërë thirrje besimtarëve të tij të mos bien pre e rekrutimeve të tilla, por nga informacionet e marra kryesisht nga të kthyerit nga fronti i luftës, ata që kanë shkuar në Siri i përkasin rrymës selafiste, që bie ndesh me predikimin e institucionit zyrtar të Komunitetit Mysliman në Shqipëri. Sipas këtij institucioni, janë 7 xhami që veprojnë jashtë kontrollit të linjës zyrtare të Komunitetit Mysliman.

Nga pikëpamja demografike, shumica e njerëzve që kanë shkuar në Siri janë më së shumti nga fshatra apo zona të thella, kryesisht nga juglindja e vendit; por, mes tyre ka edhe individë nga Tirana apo qytete të mëdha shqiptare.

Në mars të vitit 2014, prokuroria shqiptare ngriti akuzën e rekrutimit e dërgimit të luftëtarëve shqiptar drejt Sirisë ndaj 9 personave, mes tyre edhe dy imamëve të vetëshpallur.

Prokuroria deklaroi në përfundim të hetimeve se kishte siguruar “prova të mjaftueshme se të pandehurit, kryesisht në vitin 2013, “kanë bindur dhe dërguar në Siri qytetarë të ndryshëm shqiptarë, me qëllim bashkimin e tyre me grupet radikale të armatosura që veprojnë në atë zonë”.

Gjyqi ndaj tyre përfundoi në muajin maj të këtij viti, me dënimin me burg për të nëntë të akuzuarit. Dënimet më të rënda u dhanë për Genci Ballën e Bujar Hysajn, dy imamët e vetëshpallur, të cilët drejtonin dy xhami në periferi të Tiranës, që vepronin jashtë kontrollit të komunitetit mysliman shqiptar.

Të ndodhur përpara faktit të rritjes së fluksit të largimit të shtetasve drejt Sirisë, parlamenti shqiptar në vitin 2014 shtoi tre nenenë Kodin Penal, ku parashikohen rastet e pjesëmarrjes së shtetasve shqiptarë në një konflikt të armatosur jashtë territorit shqiptar.

Sipas këtyre ndryshimeve në ligj, parashikohen burgosje për ata individë që marrin pjesë apo rekrutojnë e nxisin personat e tjerë për të marrë pjesë në luftra të dhunshme në një shtet të huaj. Dënimi më i lartë prej 15 vitesh burg, që parashihet me ligj, është për të gjithë ata persona që nxisin apo ofrojnë fonde e mbështesin persona apo grupe radikale.

Në nëntor të vitit 2015, Sektori i Antiterrorit në Policinë e Shtetit Shqiptar arriti të zbardhë emrat e 26 shqiptarëve që dyshohet se ndodhen në Siri. Mendohet se të paktën 10 shqiptarë janë vrarë gjatë luftimeve në Siri, ndërkohë që fluksi i dërgimit të tyre ka rënë e deri tani nuk ka të dhëna për rekrutime të reja gjatë këtij viti.

Radio Evropa e Lirë

XS
SM
MD
LG