Ndërlidhjet

Talibanët emërojnë liderin e ri


Lideri i ri i talibanëve, Mullah Haibatullah Akhundzada
Lideri i ri i talibanëve, Mullah Haibatullah Akhundzada

Talibanët në Afganistan kanë emëruar liderin e ri, i cili e zëvendëson Mullah Akhtar Mansur, i cili u vra në një sulm me dron nga SHBA-ja, javën e kaluar.

Në një deklaratë të mërkurën, më 25 maj, grupi konfirmoi vdekjen e Mansurit dhe emëroi Mullah Haibatullah Akhundzada, njëri nga dy zëvendesit e Mansuit dhe ish kreun e gjyqësorit Taliban, si pasardhësin e tij.

Në deklaratë thuhet se Akhundzada u emërua “pas pajtimit unanim” në një takim të liderëve Talibanë që besohet të jetë zhvilluar në Pakistan.

Zëdhënësi i Talibanëve, Zabihullah Mujahid, tha se janë përzgjedhur edhe dy zëvendës, Sirajuddin Haqqani, kreu i një rrjeti që u akuzua për sulme me bomba ndaj shumë objektivave të profilit të lartë në Kabul, gjatë viteve të kaluara dhe Mullah Mohammad Yaqoob, i biri i ish liderit Mullah Mohammad Omar.

Mansuri u vra në Pakistan më 21 Maj kur makina e tij u godit nga një dron i SHBA-së në krahinën jugperëndimore të Balochistan.

Mansuri u shpall lider i Talibanëve në Korrik të vitit 2015, pak ditë pasi qeveria Afgane e konfirmoi se lideri shpirtëror i Talibanit, Mullah Mohammad Omar, vdiq në qytetin Karaçi të Pakistanit, dy vjet më parë.

Mosmarrëveshjet rreth liderit u ngjallën menjëherë pasi disa nga komandantët Talibanë refuzuan ta njohin Mansurin.

Zyrtarët e SHBA-së dhe Afganistanit thanë se Mansuri ishte një pengesë në përpjekjet për të sjellur paqen në Afganistan, ku Talibanët po udhëheqnin një kryengritje që prej 15 vjetësh.

Megjithatë, sipas Rahimullah Yousafzai, një gazetari të mirënjohur pakistanez “status quo mbetet e pandryshuar” edhe pas emërimit të Akhundzadas. Ai thotë se nuk sheh ndonjë ndryshim nga politikat e Mansurit dhe lideri i ri ka pak gjasa të fillojë negociatat me qeverinë afgane. "

"Edhe nëse Akhundzada mbështet bisedimet, ai do ta ketë vështirë t’i fillojë ato pa një consensus brenda këshillit udhëheqës të Talibanëve, ku shumica i kundërshtojnë negociatat”, thotë Amir Rana, drejtor i Institutit për Studime të Paqes në Islamabad.

Talibanët udhëhoqën Afganistanin sipas interpretimit të rreptë të ligjit Islamik deri kur grupi u rrëzua nga pushteti me pushtimin që udhëhiqej nga SHBA-të, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001. Që atëherë lëvizja luftoi për të rrëzuar qeverinë në Kabul. (REL)

XS
SM
MD
LG