Ndërlidhjet

Lufta për Falluxhën – shërim apo përkeqësim për sektarizmin irakian?

  • RFE /RL

Forcat pro-qeveritare në Fallujah, 25 Maj 2016

Forcat pro-qeveritare në Fallujah, 25 Maj 2016

Lufta për Falluxhën ka filluar. Vonë, më 23 maj, trupat e Irakut, të përbëra nga forcat e sigurisë së Irakut dhe një përzierje e rrezikshme e milicive shiite, me mbështetjen e sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara, e kanë sulmuar qytetin, duke synuar ta rrëmbejnë kontrollin nga grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS ose ISIS).

Falluxha është njëri nga qytetet e fundit të mëdha irakiane, që ka mbetur nën atë që militantët e Shtetit Islamik e quajnë 'kalifat'.

Meqë shtrihet në një hapësirë vetëm 40 kilometra nga kryeqyteti Bagdad, ky qytet ka edhe rëndësi të konsiderueshme strategjike. Rrjedhimisht, duket se sulmi ishte i paevitueshëm. Por, koha e sulmit është interesante.

Kryeministrit të Irakut, Haidar al-Abadi, i duhet fitore, meqë perceptohet si i butë. Prej se e ka marrë këtë post nga ish-kryeministri, Nouri al-Maliki, i cili e theu unitetin e ndjeshëm politik të Irakut me sektarizmin e tij brutal, zoti Abadi nuk ka qenë i aftë të sjellë stabilitet politik apo siguri në Irak.

Kjo situatë është theksuar në mënyrë të dhembshme nga vala aktuale e sulmeve me bomba në Bagdad.

Nga vala e fundit e këtillë javën e kaluar, terroristët sunitë, të ndërlidhur me ekstremistët e Shteti Islamik, i vranë së paku 70 vetë në një lagje shiite.

Por, ekziston në çështje më e gjerë në këtë situatë.

Derisa forcat e qeverisë së Irakut po luftojnë kundër militantëve të Shtetit Islamik, janë milicitë shiite, veçanërisht ato nën ombrellën e grupit kryesor, al-Hashd al-Shabi (Mobilizimi popullor), që ka dominuar në luftën kundër grupit terrorist gjatë disa muajve të fundit, në mënyrë specifike në konfliktin rreth Falluxhës.

Por, mospajtimet ndërmjet forcave të sigurisë së Irakut dhe lëvizjes Mobilizimi popullor janë, po ashtu, intensive dhe kërkohet një lloj i ndaljes së përshkallëzimit, por nuk është e qartë nëse kjo luftë do të ndihmoj në arritjen e uljes së armiqësive apo vetëm do t’i përkeqësoj gjërat.

Phillip Smyth nga Universiteti Merilend, thotë se lufta për Falluxhën tregon për struktura paralele komanduese me përzierje të trupave në terren.

Ky dallim i forcave luftuese nuk është vetëm çështje e forcave të sigurisë irakiane dhe e milicive. Milicitë shiite në mes veti janë larg nga homogjeniteti, pasi disa grupe janë në favor të Iranit, ndërsa të tjerat janë lojale ndaj klerikut shiit në Irak, Ali al-Sistani, i cili e kundërshton ndikimin iranian në Irak. Milicia e klerikut tjetër udhëheqës shiit në Irak, Muqtada al-Sadr, është po ashtu e involvuar në luftiën për Falluxhën dhe, po ashtu, ka kundërshtime me iranianët.

Me gjasë nuk ka personalitet në Irak që është sinomin i tensioneve sektare se sa al-Sadr, i cili nga udhëheqës të lartë ushtarak të Iranit është përshkruar si “njeriu më i fuqishëm në Irak”.

Sipas ekspertit Phillip Smyth, nga materialet me burimet e hapura është e qartë se mbështetësit e Iranit kanë udhëheqje në Falluxha, por edhe organizatat e tjera e kanë një shkallë të pavarësisë. Rezultati është, natyrisht, një rrëmujë: është një Irak në mikrokozmos, me një përbërje të panumërt të grupeve sektare me rrjete të ndryshme të lidhjeve të jashtme që synojnë kontroll.

Prandaj me këtë problem duhet të merren të gjithë. Sa më tepër që qeveria e Irakut dhe Uashingtoni do të dëshironin të liroheshin nga problemi i milicive shiite, ata thjeshtë këtë nuk mund ta bëjnë.

Milicitë kanë dëshmuar se janë njëra nga forcat më efektive proqeveritare në terren, pra shumë më të mira se forcat e sigurisë së Irakut.

Ato grupe janë infiltruar në shumë njësi qeveritare dhe kanë prani të fuqishme në sferën politike dhe shoqërore. Ato kanë ndërtuar qasje të shumanshme të bazave mbështetëse brenda Irakut.

Rrjedhimisht, çështje për forcat e Irakut është t’i mundin ato ose tu bashkohen; dhe duket se nuk do të jetë e mundshme që atyre tu shkaktohet disfatë së shpejti. Por, fakti se shumë prej këytre grupeve u përgjigjen iranianëve, e bënë qeverisjen e Irakut edhe më të vështirë.

Prandaj, al-Abadit dhe Shteteve të Bashkuara u nevojitet fitorja në Falluxha, por ajo u duhet edhe militantëve.

Forcat e sigurisë së Irakut dëshirojnë t’i tregojnë popullit të Irakut se janë forcë e fuqishme kombëtare, por nuk janë, ndërsa Uashingtoni, po ashtu, me padurim pret që kjo të dëshmohet.

Njëherësh, milicitë dëshirojnë të vazhdojnë të demonstrojnë se ata në fakt po e shpëtojnë Irakun nga Shteti Islamik.

Sipas ekspertit Smyth, rrjedhimisht porosia e Iranit është e qartë: “Mbështetësit tanë po i shkaktojnë disfatë ISIS-it. Shtetet e Bashkuara thonë se dëshirojnë ta luftojnë ISIS-in, por çka kanë bërë realisht? Në fakt ata kanë motiv të mëvonshëm, e ai është thjeshtë të vriten sa më shumë irakianë”.

Banorët në Falluxha janë të bllokuar. Grupi ekstremist, Shteti Islamik, po i përdorë ata si mburojë njerëzore kundër sulmeve ajrore dhe tokësore, që kanë filluar më 23 maj. Ata duket se konsiderojnë se nëse ISIS-i humbë, atëherë edhe ajo që vjen mund të jetë gjë e keqe.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG