Ndërlidhjet

logo-print

Kosova është në zonën e rrezikut të ulët të bartjes së virusit Zika. Kështu konsiderojnë zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë.

Ndryshe, Virusi Zika mendohet se shkakton defekte të rënda te të porsalindurit. Ai përhapet përmes mushkonjave dhe kontaktit seksual. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur virusin Zika emergjencë globale të shëndetit publik.

​Por, Skender Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se qytetarët në përgjithësi, e posaçërisht gratë shtatzëna, duhet shmangur udhëtimet ku virusi Zika ka përhapje të gjerë, derisa ka potencuar se tash për tash Kosova nuk është zonë me rrezik të lartë sa i përket përhapjes së virusit Zika.

"Sa i përket bartjes së virusit Zika në rajonin Evropian, ku bën pjesë edhe Kosova, ne kemi disa zona të caktuara, si ishulli Madeira, ku është një rrezikshmëri e lartë, derisa në vende tjera ka rrezikshmëri të mesatare të bartjes së virusit për shkak të pranisë së mushkonjës specifike e cila e bartë atë. Por, sa i përket Kosovës, tash për tash, konsiderohet se ka rrezikshmëri të ulët", thotë Syla.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, zëvendësdrejtoresha Selvete Krasniqi, ka thënë se ky Institut ka bashkëpunim të mirë me OBSH –në, dhe është në hap me rekomandimet e saj, për luftimin e virusit në rast të shfaqjes.

"Rreziku nga Virusi Zika për Kosovën nuk është i lartë...Kosova nuk është nënvizuar si vend me rrezikshmëri të lartë. Kjo falë mungesës së mushkonjave që bart këtë virus, e që është globalisht e përhapur. Kosova nuk bën përjashtim, por nuk është pjesë e hartës së alarmit. Ne kemi bashkëpunim të ngushtë me OBSH-në dhe nuk kemi asnjë rast pozitiv, meqenëse edhe klima nuk ka qenë në favor të rritjes dhe shumëzimit të mushkonjës", thotë Krasniqi.

Ndërkaq, në rast të shfaqjes së virusit Zika në Kosovë, sipas infektologut Shemsedin Dreshaj, trajtimi mund të bëhet ashtu si edhe në gjitha vendet ku ky virus ka përfshirë njerëzit.

"Trajtimi është simptomatik për virusin e Zika-s, dhe ne nuk dallojmë asgjë në lidhje me trajtimin që bëhet diku tjetër në botë. E vetmja masë që aplikohet jashtë vendit është vaksinimi, për parandalim. Deri më tash është dëshmuar se ndihmon", shpjegon Dreshaj.

Organizata Botërore e Shëndetësisë së fundmi ka paralajmëruar se virusi Zika pritet të përhapet në Evropë në fund të pranverës dhe gjatë verës. Nga harta e përhapjes së virusit nuk është përjashtuar Kosova, madje ajo është futur në një zonë me rrezik potencial.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG