Ndërlidhjet

Serbët e Kosovës të pakënaqur me "Listën Serbe“


Serbë të Kosovë, gjatë një pritje solemne për kryeministrin serb, Vuçiq, në Graçanicë, Kosovë, 14 janar 2015
Serbë të Kosovë, gjatë një pritje solemne për kryeministrin serb, Vuçiq, në Graçanicë, Kosovë, 14 janar 2015

Megjithë përpjekjet e institucioneve të Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar për të krijuar kushtet e integrimit të qytetarëve të pjesës veriore të Kosovës në institucionet e vendit, këta të fundit ende e shohin Beogradin zyrtar si garantues të, siç thonë, mbijetesës së tyre.

Përfshirja në institucionet e Kosovës të përfaqësuesve serbë, pas zgjedhjeve lokale dhe atyre të përgjithshme, nuk e ka kthyer besimin e qytetarëve serbë, jo vetëm tek Prishtina zyrtare, por as edhe në vetë njerëzit e zgjedhur prej tyre.

Marrëveshja e Prillit të vitit 2013 mundësoi fillimin e integrimit të serbëve të Kosovës në sistemin unik të vendit, me kërkesën e qartë që fillimisht të shpërbëhen të gjitha strukturat paralele dhe ato të sigurisë, që funksionuan në këtë pjesë që prej pas luftës. Por, kjo ende nuk u krye në tërësi.

Katër komuna në veri të Kosovës u rifunksionalizuan pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013, me pjesëmarrjen e qytetarëve serbë pas prej më shumë se 15 vitesh jashtë sistemit të Kosovës, megjithëse në këtë pjesë të vendit ende vazhdojnë të funksionojnë "Organet e Përkohshme“, që financohen nga Qeveria e Serbisë, e të cilat Prishtina i cilëson si paralele.

Kryetari i organit të përkohshëm në Mitrovicën e Veriut, Aleksandar Spirici, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është obligim i këtij organi që "të mbrojë dhe t'i kontribuojë interesave të qytetit dhe të qytetarëve“ duke theksuar se "Organi i Përkohshëm do të vazhdojë që të ekzistojë sepse është treguar si mbrojtës i bashkësisë serbe."

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, që u mbështet nga Beogradi zyrtar në kohën e zgjedhjeve, morën përsipër barrën e përfaqësimit të bashkësisë serbe dhe premtuan mbrojtjen e interesave të tyre. Por, dy vjet pas hyrjes në institucionet e Kosovës, qytetarët serbë të veriut thonë se Lista Serbe nuk i ka përmbushur pritjet e tyre.

“Njerëz pa kredibilitet, pa autoritet dhe pa asnjë ndikim tek qytetarët serbë. Mendoj se nëse është dakorduar që të ketë përfaqësues të serbëve, atëherë duhet të jenë njerëz të njohur edhe në njërën edhe në anën tjetër, njerëz që i njohin zakonet që janë të respektueshme edhe nga njëra edhe bashkësia tjetër", thotë një dyzet vjeçar nga Mitrovica e veriut.

“Nuk e përcjell aq shumë politikën, por me gjasë se angazhohen së paku bile për interesat tona, interesat e serbëve në Kosovë", tha një vajzë nga veriu.

“Nuk jam shumë i njohur me punën e tyre, por nga ajo që e shoh në media, nuk shoh rezultate të mjaftueshme në fushën e sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik", thotë një i ri nga Mitrovica.

Një përfaqësues i organizatës joqeveritare në Mitrovicën e veriut, Dushan Radakoviq, thotë se puna e përfaqësuesve të serbëve ne institucionet e Kosovës është në një nivel të pakënaqshëm.

"Mendoj se nëse janë përfaqësues në Kuvendin e Kosovës, ata duhet të përfaqësojnë në mënyrë të barabartë edhe veriun edhe jugun, edhe Shtërpcen edhe Mitrovicën, edhe Leposaviqin, Zveçanin, Zubin Potokun, Graçanicën... dhe jo vetëm nëse është përfaqësues në Kuvend nga Shtërpca ta përfaqësoj atë“, thotë Radakoviq.

Por, për përfaqësuesit serbë, puna në institucione ka qenë një sfidë e madhe. Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, thotë se të gjithë e kanë marrë punën me përgjegjësi.

"Që prej fillimit, pavarësisht nga fakti se kemi qenë të kufizuar në disa momente, pavarësisht se Kosova ka kaluar nëpër disa faza serioze politike, që nuk kanë qenë në favor të bashkësisë serbe, ne kemi treguar se jemi konstruktiv dhe se me seriozitet e kryejmë punën."

"Gjithashtu kemi treguar se përmes kornizës ligjore provojmë të zgjidhim dhe bashkërendojmë të gjitha ato ligje që janë në përputhje me interesat e bashkësisë sonë, dhe jo vetëm asaj, por edhe të çdo bashkësie tjetër", tha Simiq.

Nga dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë, 9 prej tyre udhëhiqen nga Lista Serbe, ndërkohë që vetëm një prej tyre është nën kontollin e Partisë Liberale Serbe. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG