Ndërlidhjet

logo-print

Fajon, optimiste për liberalizim të vizave


Tanja Fajon

Tanja Fajon

Raportuesja e Bashkimit Evropian për liberalizim të vizave me Kosovën, deputetja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon, thotë se nuk pret që brenda periudhës së pranverës së këtij viti të bëhet një hap konkret drejt lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës. Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Fajon shpreh shqetësim me zhvillimet përreth procesit të demarkacionit, por thekson se beson që kjo të jetë më shumë një politizim i brendshëm, sepse, siç shprehet, do të ishte dëm që Kosova ta humbasë këtë mundësi për liberalizim.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Fajon, të enjten u mbajt diskutimi i parë i Komitetit për liritë civile, drejtësinë dhe punët e brendshme të Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave. Ju thatë se do të jeni të përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të hapura. Si mendoni se do të zgjidhet një prej kushteve që i janë vendosur Kosovës, ai i ratifikimit të Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi?

Tanja Fajon: Fillimisht, unë jam shumë e kënaqur që më në fund në tavolinë e kemi një propozim të Komisionit Evropian, sepse mendoj se ka kaluar shumë kohë. Kosova tani pothuajse i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe e ka marrë dritën e gjelbër. Është e vështirë tani të thuhet sa kohë do të zgjasë ende.

Në debat kam theksuar se mund të diskutojmë me Komisionin se cilat janë kriteret, nëse e marrin parasysh procesin me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Por, sido që të jetë, tani duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundshme, do të punoj në një agjendë ambicioze, dhe pala kosovare të bëjë atë që kërkohet nga ajo.

Pra, derisa Komisioni insiston që ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi është kusht, mendoj se është më mirë që të provojmë të bëjmë që ky kusht të përmbushet. Para pak ditësh kam qëndruar në Prishtinë dhe Qeveria më ka siguruar se kjo mund të bëhet.

Unë pres që të ecim në këtë drejtim, dhe nga ana tjetër, natyrisht, do të bisedojmë me Komisionin se si mund ta mbyllim këtë dosje sa më shpejt. Gjithashtu, edhe prej qeverive evropiane natyrisht, ku pres probleme, pres që në fund të pranojnë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Opozita është këmbëngulëse që të mos e pranojë demarkacionin madje edhe me çmimin që Kosova të humbë liberalizimin. Votat në Kuvend ende janë në pikëpyetje. Sa mundet demarkacioni ta pengojë lëvizjen e lirë për Kosovën?

Tanja Fajon: Sinqerisht mua më shqetëson kjo gjendje në Kosovë dhe unë shpresoj se kjo është krejtësisht për shkak të një politizimi të brendshëm, sepse do të ishte dëm që tani Kosova të humbasë këtë mundësi për liberalizim të vizave. Në këtë moment, unë nuk mund të them se mund ta ndryshojmë këtë kusht, sepse nuk më takon mua, kjo i përket Komisionit Evropian.

E di se është një situatë e ndjeshme, e di se është e vështirë të sigurohet një shumicë e garantuar, por nuk e di si do të ecim tutje. Do të ishte për keqardhje nëse humbet ky moment. Natyrisht, do të kërkojmë zgjidhje. Unë dua të jem optimiste.

Nga ana tjetër, duhet të kuptoni se atmosfera në Këshill ndërmjet të gjitha shteteve anëtare nuk është edhe aq pozitive kur bëhet fjalë për liberalizim të vizave. Jo vetëm për shkak të Kosovës, ose korrupsionit, ose kërcënimit nga terrorizmi, por më shumë për shkak se e gjithë BE-ja është në një ngërç, në një situatë krize për shkak të emigrantëve, për shkak të krizës dhe në këtë kontekst, është e nevojshme e gjithë ndihma e Qeverisë së Kosovës.

Unë, çdo ditë dhe sa më shpejt që mundem, do të punoj dhe bashkëpunoj, natyrisht.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni kërkuar nga Komisioni Evropian që të sqarojë se pse dhe si i është vendosur Kosovës kushti për demarkacion të kufirit, kur vendet e tjera nuk e kanë pasur. Është i drejtë ky kusht?

Tanja Fajon: Nuk e di nëse ka ndonjë kuptim që të them nëse është i drejtë apo jo. Ky është kushti i Komisionit dhe e di se të tjera vende të Ballkanit Perëndimor nuk i kanë pasur kushtet e ngjashme. Por, nëse kërkohet kjo nga një vend, unë do të propozoja që të bëjmë çdo të mundur. E di se edhe Qeveria e Kosovës, gjithashtu, ka garantuar se ka një marrëveshje të mirë rreth kufirit dhe se është e mundshme që atë marrëveshje ta ratifikojë. Po ecim në këtë drejtim dhe ta shohim se si të ecim tutje, nëse procesi bllokohet.

Radio Evropa e Lirë: Kur flasim për procedurat e BE-së. Kur mund të presin qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza? A është e mundshme që Parlamenti të votojë këtë çështje para pushimeve verore?

Tanja Fajon: Këto ditë po e përgatis agjendën si të ecim tutje. Ekzistojnë procedura formale në Parlamentin Evropian. Së pari duhet të zhvillojmë debat për propozimin e Komitetit për liritë civile, drejtësinë dhe punë të brendshme të Parlamentit Evropian (LIBE) dhe pastaj të Komitetit për marrëdhënie me jashtë (AFET) ku do të votohet për propozimin.

Unë do të doja që të paktën në Komitetin LIBE të votohet përpara pushimeve vjetore. Kjo është një agjendë ambicioze për shkak të procedurave formale.

Megjithatë, nuk pres që do të bëjmë një hap drejt liberalizimit të vizave në pranverë të këtij viti.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG