Ndërlidhjet

Putin në Greqi, vizita e parë në BE këtë vit

  • RFE /RL

Presidenti rus, Vladimir Putin, në Greqi

Presidenti rus, Vladimir Putin, në Greqi

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të premten u takua me liderët e Greqisë në Athinë, në vizitën e parë të tij në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian, këtë vit, pak kohë pasi BE-ja do të vendosë për zgjatje ose jo të sanksioneve ekonomike kundër Moskës, për shkak të rolit të saj në Ukrainë.

Me të arritur në Athinë, Putini u takua me presidentin e Greqisë, Prokopis Pavlopoulos, dhe me kryeministrin, Alexis Tsipras.

Lideri rus sugjeroi se po shikon për mundësi investuese për ta ndihmuar ekonominë me probleme të Greqisë.

“Këto janë kohë të vështira, në aspektin ekonomik dhe atë të sigurisë ndërkombëtare”, tha Putin, dhe ka shtuar se “ne duhet t’i shqyrtojmë këto probleme dhe të shikojmë për zgjidhje. Nuk është koincidencë që një mundësi për këtë është paraqitur në Greqi, vend me të cilin ne kemi lidhje të thella historike”.

Kryeministri Tsipras tha se “ky është moment special për Greqinë, ku ka paqartësi”.

Putin në këtë vizitë dyditëshe e udhëheq delegacionin rus, në të cilin përfshihet edhe ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, dhe udhëheqësit e lartë të kompanive shtetërore të naftës dhe gazit.

Kjo vizitë e parë e Putinit në një shtet të Bashkimit Evropian prej dhjetorit të vitit të kaluar, po bëhet në periudhën kur liderët e BE-së muajin e ardhshëm pritet të diskutojnë nëse do t’i zgjasin sanksionet kundër Rusisë në sektorin e bankave, të mbrojtjes dhe të energjisë.

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, tha se liderët e grupit të shtatë fuqive ekonomike (G7) janë pajtuar që muajin e ardhshëm t’i zgjasin sanksionet kundër Rusisë, për shkak të aksioneve të saj në Ukrainë.

“Për Rusinë, G7-a është pajtuar për rëndësinë jetike të zgjatjes së sanksioneve në qershor. Ukraina është viktimë e agresionit të mbështetur nga Rusia. Ne kurrë nuk do ta harrojmë këtë fakt. G7 e ka të qartë se ekzistimi i sanksioneve duhet të mbetet i tillë çfarë është, derisa Marrëveshja e Minskut të mos zbatohet plotësisht. Besoj se ky është një vendim i rëndësishëm”, tha Cameron.

Por, sa i përket efektit të sanksioneve, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Putinin në Athinë, kryeministri Tsipras, u shpreh skeptik.

“Rrethi vicioz i militarizimit, i retorikës së Luftës së Ftohtë dhe i sanksioneve, nuk është produktiv. Zgjidhja është dialogu”, theksoi Tsipras.

Sanksionet e perëndimit kundër Rusisë ishin vendosur në vitin 2014, për shkak të rolit të Rusisë në konfliktin në pjesën lindore të Ukrainës dhe për aneksimin e Krimesë.

Vladimir Putin deklaroi se çështja e Krimesë është e mbyllur:

“Sa i përket Krimesë, ne konsiderojmë se kjo çështje është e mbyllur përgjithmonë. Ky ishte vendim historik i ndërmarrë nga populli që jeton në Krime. Rusia nuk do të zhvillojë kurrfarë diskutimi me askënd për këtë temë”.

Ai foli edhe për sistemin e mbrojtjes raketore të Shteteve të Bashkuara në Evropën Lindore, duke shtuar se Moska nuk ka zgjidhje tjetër pos të hakmerret ndaj mburojës raketore amerikane në Evropë.

Putin tërhoqi vërejtjen se prania e elementeve të mburojës në Rumani dhe Poloni, do të krijojnë situatë që njerëzit atje të jetojnë në rrezik.

“Nëse dje në këto hapësira të Rumanisë njerëzit thjesht nuk e dinin se çka do të thotë të jesh në qendër të armatimit, atëherë tash ne do të jemi të detyruar të ndërmarrim masa të caktuara për sigurinë tonë. E përsërisë se këto janë masa hakmarrëse”.

“Ne nuk do të ndërmarrin çfarëdo hapi të parë. Do të jetë njëjtë edhe me Poloninë. Ne do të presim derisa Polonia të ndërmerr aksion të caktuar. Ne nuk do të ndërmarrim aksion. Ne nuk do të ndërmarrim aksion derisa t’i shohim raketat në hapësirat që janë në fqinjësinë tonë”, u shpreh Vladimir Putin.

Moska për një kohë të gjatë thotë se krijimi i sistemit mbrojtës raketor të Shteteve të Bashkuara në Evropën Lindore, paraqet rrezik për sigurinë e Rusisë.

Uashingtoni ka përsëritur disa herë se sistemet do t’i mbrojnë anëtarët e NATO-s nga raketat me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi, veçanërisht nga shtetet e papërgjegjshme në Lindjen e Mesme.

Më 13 maj në Poloni kanë filluar punimet për seksionin verior të mburojës raketore mbrojtëse amerikane. Një ditë më herët këto punime kishin filluar edhe në Rumani.

Sistemi do të bëhet krejtësisht operacional në vitin 2018.

Greqia, së bashku me Qipron, janë në mesin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, me lidhje të afërta me Rusinë.

Moska është partneri kryesor tregtar i Athinës, por ekonomia ruse është goditur nga sanksionet e Bashkimit Evropian dhe rënien e çmimeve të naftës.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG