Ndërlidhjet

Kiev: Luftimet në pjesën lindore po intensifikohen

  • RFE /RL

Donjeck

Donjeck

Ushtria e Ukrainës thotë se luftimet ndërmjet forcave qeveritare dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, në pjesën lindore të Ukrainës, kanë shënuar përshkallëzim.

Ushtria ka njoftuar se pesë pjesëtarë të saj janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur gjatë përleshjeve të reja me separatistët në rajonin Donbas.

“Për fat të keq, gjatë 24 orëve, pesë ushtarë ukrainas janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur”, u tha gazetarëve zëdhënësi ushtarak, Oleksandr Motuzyanyk.

Luftëtarët e mbështetur nga Rusia e kanë akuzuar ushtrinë se i ka ndërmarrë dhjetëra sulme gjatë ditëve të fundit.

Të dy palët e akuzojnë njëra-tjetrën për mosrespektim të armëpushimit.

Shtim të dhunës ka parë edhe një patrullë e Misionit special të monitorimit e Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE), ndaj të cilit është shtënë në rajonin e Donjeckut, para dy ditësh.

Shefi i misionit, Ertugrul Apakan, e ka dënuar këtë sulm, në të cilin askush nuk ka pësuar lëndime.

Për shkak të shtimit të dhunës, presidenti i Ukrainës, Petro Poroshneko, duke synuar ndihmë më të madhe të jashtme, e ka emëruar për këshilltar të tij, ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Rasmussen, në rrjetin Facebook shkruan se do të bëjë çdo gjë të mundshme “për promovimin e sigurisë, reformave ekonomike dhe lidhjeve më të fuqishme me Bashkimin Evropian”.

Këto komente ai i bëri një ditë pasi Poroshenko e shpalli emërimin e tij. Megjithatë, në këtë shpallje nuk precizohet se për çfarë çështjesh do të jetë i angazhuar Rasmussen.

Ndërkaq, Rasmussen e përshkroi si “alarmuese” situatën e sigurisë në Ukrainë.

Ai, po ashtu, theksoi se Ukraina duhet ta luftojë korrupsionin dhe t’i zbatojë reformat.

Por, ky emërim ka hasur në reagime të ashpra në Rusi.

Anëtari i Dumës ruse, Leonik Kalashnikov, i tha agjencisë Interfax se emërimi i Rasmussenit është “gjest armiqësor” ndaj Rusisë.

“Kjo tregon se Ukraina e ka zgjedhur perëndimin dhe NATO-n si vektor të lëvizjes së saj”, tha Kalashnikov, duke e përshkruar Ukrainën se paraqet “pozicion kundër Rusisë, që do të përdoret së shpejti apo më vonë”.

Nga ana tjetër, kryesuesi i Komitetit të çështjeve të jashtme të Këshillit të Federatës së Rusisë, Konstantin Kosachyov, në rrjetin Facebook, shkroi se emërimi i Rasmussenit, sikur edhe shumë lëvizje të tjera të Ukrainës, janë “një shou” pasi, sipas tij, Ukrainës kujdesi nga jashtë i duhet shumë”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG