Ndërlidhjet

Maqedoni: Politikat arsimore, të disfavorshme për tregun e punës


Ilustrim
Ilustrim

Në bazë të të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave në Maqedoni, rreth 25 për qind e popullatës jeton në varfëri, përderisa 9 për qind e tyre jeton në varfëri të skajshme.

Banimir Jovanovski nga Lëvizja majtiste, i cili njëherësh është i angazhuar në më shumë hulumtime që kanë të bëjnë me zhvillimet ekonomike në Maqedoni, thotë se mbi 180 mijë qytetarë të Maqedonisë jetojnë me vetëm 40 denarë në ditë, (0.65 cent)

Jovanoviq thotë se Maqedonia, me politikat e saj ekonomike favorizon shtresën e pasur dhe thellon edhe më shumë varfërinë.

“Gjatë 25 vjetëve të fundit, me shpërbërjen e Jugosllavisë në Maqedoni zhvillohen politika ekonomike, të cilat u shkojnë përshtati vetëm të pasurve dhe aspak nuk u përshtaten të varfërve. Zhvillimi ekonomik në Maqedoni sillet nga 1 deri 1.5 për qind. Nëse bëhet një analizë se ku kanë shkuar këto mjete nga rritja ekonomike, do të vëreni se të ardhurat e 99 për qind të të punësuarve plotësisht kanë stagnuar, përderisa të ardhurat e 1 për qind të të punësuarve në Maqedoni, janë rritur”, thotë Jovanoviq.

Ndihma sociale në Maqedoni ka vlerë prej 5 mijë e 200 denarësh, përkatësisht rreth 85 euro - mjete këto që nuk krijojnë as minimumin e hapësirës për të dalë nga kriza një familje e varfër, sepse për të siguruar shportën mujore për një familje 4-anëtarëshe, sipas një përllogaritjeje që ka bërë Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, nevojiten 32 mijë e 274 denarë, përkatësisht rreth 525 euro.

Ndërkohë, Enti Shtetërorë i tatistikave ka bërë të ditur se rroga mesatare në muajin mars të këtij viti mezi se arrin 22 mijë e 53 denarë (rreth 360 euro).

Ekonomisti Arben Halili thotë se nëpërmjet ndihmave sociale, Maqedonia një kohë të gjatë ka ruajtur qetësinë e përgjithshme në vend, duke siguruar rehati për një pjesë të elitës politike, e cila udhëheq me shtetin.

“Ndihma sociale, e cila me të madhe në Maqedoni shfrytëzohet veçanërisht nga ana e subjekteve politike në qeveri, për të ruajtur qetësinë sociale, përkatësisht për të mbajtur nën kontroll një shpërthim eventual shtresës së varfër, e cila mezi kalon ditën me ato pak të ardhura sa merr si ndihmë sociale”.

“Por, duhet të përmendim edhe një fakt se jo vetëm ata që marrin ndihmë sociale, por edhe ata që marrin një rrogë minimale, e cila mezi arrin vlerën prej 150 eurosh, nuk arrin të mbulojë kërkesat minimale të një familjeje dhe këtu bën pjesë rreth 90 për qind e popullatës”, thekson Halili.

Në Maqedoni, si shtresë e varfër paraqiten dhe ata që kanë kryer arsimim të lartë, por nuk u përgjigjen kërkesave të tregut të punës.

Për këtë arsye, gjatë kësaj jave Dikasteri i Punës dhe Politikës Sociale ka promovuar projektin për trajnimin e 225 personave të papunë në profesionet e ndryshme deficitare të kërkuara në tregun e punës.

“Kemi filluar me trajnimin e një pjese të papunë për profesione deficitare, përmes së cilit projekt synohet të ndërtohen aftësitë dhe mjeshtëritë për profesione të caktuara që u nevojiten punëdhënësve. Në këtë mënyrë bëhet lidhje më e lehtë e ofertës me kërkesën e tregut të punës duke ulur numrin e papunësisë, me këtë dhe shkallën e varfërisë në vend”, është shprehur ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.

Ai bëri të ditur se deri në fund të vitit pritet që një trajnim të këtillë ta ndjekin 640 persona për arritur më lehtë deri te një vend pune.

Por, Banimir Jovanovski thotë se duhet të pësojë ndryshime rrënjësore i tërë procesi arsimor, që prodhon të diplomuar, por jo edhe profesionistë, që do të jenë konkurrues në tregun e punës.

“Arsyeja kryesore për nivelin e lartë ë varfërisë në plan afatgjatë në Maqedoni, është cilësia e ulët e arsimimit. Andaj, do të thosha se është me shumë rëndësi të ndahen mjete për ngritjen e cilësisë së procesit edukativo -arsimor në shkollat publike, të përgatiten kuadro, të cilat do të jenë konkurruese në tregun e punës konform diplomës, me të cilën ata pajisen gjatë shkollimit, qoftë në shkollat e mesme apo pas përfundimit të fakultetit”, vlerëson ai.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se tregues shumë i rëndësishëm se procesi arsimor ka marrë rrjedhë të gabuar, është dhe fakti se për çdo vit rritet numri i të papunëve me arsimim të lartë, kundrejt atyre me arsimim të mesëm.

XS
SM
MD
LG