Ndërlidhjet

logo-print

Ushtria ukrainase ka thënë se tre ushtarë të saj janë vrarë dhe tetë të tjerë janë lënduar në luftimet e fundit në mes të forcave qeveritare dhe separatistëve të përkrahur nga Rusia në pjesën lindore të vendit.

Zëdhënësi i ushtrisë, Andriy Lysenko, ka thënë më 30 maj se luftimet janë intensifikuar në krahasim me disa muaj më parë, ndërsa i njëjti i ka akuzuar separatistët se “në mënyrë aktive ka shfrytëzuar armët e rënda”, përfshirë edhe lansues të raketave ‘Grad’.

Lysenko ka thënë se përleshjet e reja janë raportuar përreth qytetit që kontrollohet nga separatistët, Donjeck dhe atij që kontrollohet nga forcat qeveritare, Mariupol.

Forcat ukrainase kanë pësuar humbje të mëdha në pjesën lindore të Ukrainës gjatë ditëve të fundit.

Më 24 maj, Kievi ka njoftuar se shtatë ushtarë të saj janë vrarë gjatë luftimeve me separatistët. Më 28 maj, pesë ushtarë të tjerë janë raportuar të vrarë.

Me rritjen e intensitetit të dhunës, Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, ka bërë thirrje për ndihmë më të madhe ndërkombëtare, ndërsa e ka emëruar ish Sekretarin e Pergjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen si këshilltar të tij.

Muajin e kaluar, Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Stepan Poltorak, ka thënë se mund të kalojnë vite derisa të përfundoj konflikti i cili deri më tash ka marrë jetën e 9300 personave, prejse ka filluar në prill të vitit 2014.

XS
SM
MD
LG