Ndërlidhjet

logo-print

A do të zgjerohet territori i Rusisë?

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Leonid Tibilov, presidenti de facto i Osetisë Jugore, republikë separatiste e Gjeorgjisë, është detyruar të braktisë planet për mbajtjen e një referendumi në muajin gusht, për ndryshimin e Kushtetutës. Këto ndryshime do t’i jepnin kompetenca liderit që të kërkojë formalisht përfshirjen e Osetisë Jugore në Federatën Ruse.

Më 26 maj, Tibilov dhe kryetari i Parlamentit të Osetisë Jugore, Anatoly Bibilov, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke thënë se referendumi do të zhvillohet vetëm pas zgjedhjeve presidenciale, në fillim të vitit 2017.

Dy zyrtarët, të cilët konsiderohen si kandidatët e vetëm me shanse në këto zgjedhje, për kohë të gjatë, kanë pikëpamje të ndara mbi marrëdhëniet optimale midis Rusisë dhe Osetisë Jugore.

Moska e ka njohur Osetinë Jugore si shtet të pavarur në gusht të vitit 2008, menëjëherë pas luftës pesëditëshe të Rusisë dhe Gjeorgjisë për të dhe për një tjetër republikë separatiste të Gjeorgjisë – Abkhazinë.

Në janar të vitit 2014, Bibilov ka mbështetur publikisht mbajtjen e referendumit për bashkimin e Osetisë Jugore me Federatën Ruse, në të njëjtën kohë me zgjedhjet parlamentare të qershorit të atij viti. Dhe, në fillim të vitit 2015, ai ka kritikuar fuqishëm traktatin e planifikuar dypalësh midis Rusisë dhe Osetisë Jugore, i cili ka obliguar Moskën që të punojë për njohje të gjerë ndërkombëtare të Osetisë Jugore. Këtë të fundit, përveç Rusisë, e kanë njohur shumë pak vende të tjera.

Para edhe pas zgjedhjes së tij si president de facto, në prill të vitit 2012, Tibilov ka theksuar nevojën për të ruajtur statusin formalisht të pavarur të Osetisë Jugore. Në të njëjtën kohë, ai e ka përshkruar përfshirjen e Osetisë Jugore në Federatën Ruse si ëndërr të popullsisë së rajonit.

Megjithatë, në tetor, vetëm disa muaj pas ratifikimit të traktatit dypalësh midis Rusisë dhe Osetisë Jugore, Tibilov ka shpallur planet për një referendum për përfshirjen e rajonit në Federatën Ruse. Moska nuk e ka miratuar këtë iniciativë.

Në prill, pastaj, Tibilov ka dalë me idenë për formimin e një “shteti të bashkuar” me Rusinë dhe njëkohësisht ka bërë thirrje për mbajtjen e një referendumi në muajin gusht, për ndryshimin e Kushtetutës së Osetisë së Jugut. Me amandamente kushtetuese, presidenti de facto do të kishte fuqinë të kërkonte formalisht përfshirjen e Osetisë Jugore në Federatën Ruse si federatë e ndarë.

Bibilov e ka kundërshtuar këtë propozim, duke thënë se, nëse referendumi mbahet, pyetja e vetme për votuesit duhet të jetë: a dëshironi që Osetia e Jugut të jetë pjesë e Rusisë ose jo?

Tibilov dhe Bibilov janë takuar më 19 maj për të diskutuar referendumin e planifikuar dhe, pak ditë më vonë, kanë njoftuar shtyrjen e tij.

Shtyrja është arsyetuar me “nevojën për të ruajtur stabilitetin politik” në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017. Por, vetë Bibilov ka thënë për të përditshmen ruse “Kommersant” se situata aktuale politike, në asnjë mënyrë, nuk mund të përshkruhet si e tensionuar.

Kryetarja e Komisionit Zgjedhor të Osetisë së Jugut, Bella Pliyeva, është cituar të ketë thënë se shumica e votuesve mund të preferojnë pavarësinë. Kjo do të ishte shuplakë në fytyrë për Rusinë, e cila subvencionon buxhetin e Osetisë së Jugut 90 përqind.

Pikëpyetje e madhe mbetet edhe pas agjendës së Moskës. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë në muajin prill se lidershipi rus do të udhëhiqet nga vullneti i popullit të Osetisë së Jugut. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG