Ndërlidhjet

Nuk ka lëvizje për dalje nga kriza politike


Protesta në Shkup, 31 maj 2016
Protesta në Shkup, 31 maj 2016

Partitë politike në Maqedoni vazhdojnë të heshtin lidhur me hapat e mëtejmë për zgjidhjen e krizës politike. Pas anulimit të zgjedhjeve të 5 qershorit dhe tërheqjes së pjesshme të vendimit të Presidentit për faljen e zyrtarëve, ende nuk ka asnjë lëvizje për hapat që duhet të ndërmarrin në përmbushjen e kritereve dhe caktimin e një date për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Heshtja e partive, ndërkohë, ka ngjallur debate në opinion nëse marrëveshja e Përzhinës (për zgjidhjen e krizës politike) ka dështuar apo nëse palët duhet të ulen për të negociuar një marrëveshje tërësisht të re.

“Të gjitha shtyllat e Marrëveshjes janë të dëmtuar dhe mendoj se ajo praktikisht nuk ekziston. Zgjedhjet u shtynë, listat zgjedhore janë me defekte të shumta, hapësira mediatike mbeti e parregulluar, qeveri teknike nuk kemi, prokuroria speciale është e bllokuar me vendimin e Ivanovit për falje, dhe shikuar nga ky aspekt, mund të konstatohet se marrëveshja e Përzhinës nuk ka dhënë asnjë efekt”, thotë Naser Zyberi, ish-deputet dhe ekspert për çështje juridike.

Por, ndryshe nga ai vlerëson Nikolla Dujoski, njohës i çështjeve politike dhe profesor në Universitetin e Shkupit. Ai thotë se Marrëveshja e Përzhinës është shkelur në shumë segmente, por kjo nuk nënkupton se ajo ka “vdekur”, pasi kjo, sipas tij, do të kishte pasoja edhe më të rënda ndaj vendit.

“Nuk do të pajtohesha me vlerësimin se Marrëveshja e Përzhinës është e vdekur, pasi kjo nuk do të ishte e mirë për Maqedoninë. Kjo nuk duhet të ndodhë edhe pse nëse shikojmë shumë veprime të politikanëve çojnë në atë drejtim, por le të shpresojnë se nuk do të vjen deri tek ajo. Të gjithë hapat që do të bëhen në periudhën në vijim duhet të jenë mirë të koordinuara me faktorin ndërkombëtar”, thotë Dujkoski duke shtuar se pa një presion të fuqishëm mbi aktorët e skenës politike kriza edhe një kohë të gjatë nuk do të mund të merrte një epilog zgjidhjeje.

Si hap të parë, ai sheh tërheqjen e plotë të vendimit për falje nga ana e presidentit, ndërsa si shtytje në marrjen e një hapi të tillë sheh edhe protestat e shoqërisë civile që po vazhdojnë më tepër se një muaj në Shkup dhe qytete tjera. Dujoski thotë se palët duhet të ulen dhe të negociojnë çështjet, ndoshta edhe nga fillimi, dhe mbi themelet e Marrëveshjes së Përzhinës, të arrijnë një marrëveshje të re.

“Vetëm përmes bisedimeve mund të arrihet deri tek zgjidhja. Nëse vazhdojmë të tolerojmë këtë gjendje të mospasjes së një dialogu kualitativ mes partive, nuk do të arrijmë asgjë. Problemet vetëm se do të grumbullohen, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e përshkallëzimit të tyre. Prandaj, zgjidhja me e mirë do të ishte që palët të ulen dhe të merren vesh. Nuk kemi kohë, çdo ditë e humbur është e dëmshme për të ardhmen tonë”, thotë Dujoski.

Naser Zyberi, ekspert për çështje juridike, thotë se partitë kanë shumë punë për të bërë. Përveç zbatimit të pikave të marrëveshjes, ata duhet të zbatojnë edhe shumë kritere tjera, para se gjithash të zgjidhin problemet që dolën nga vendimi për falje i presidentit.

“Daljen nga kriza e shoh në tërheqjen urgjente të vendimeve për falje nga Presidenti Ivanov, në mënyrë që të krijohet hapësirë për prokurorinë speciale në vazhdimin e punës, formimin e një qeverie teknike dhe mundësisht jo me ushtarë partiakë, por me njerëz të profesionit, kyçjen e ndërkombëtarëve ashtu siç u paralajmërua nga komisionari, Johannes Hahn”, thotë Zyberi.

Ai përmend nevojën e patjetërsueshme të hartimit të një liste të re zgjedhore të besueshme, rregullimin e çështjeve të medieve, ndarjen e aktiviteteve partiake nga ato shtetërore, si dhe të përmbushjen e të gjitha rekomandimeve tjera për reformimin e tërësishëm të sistemit juridik në vend.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë në zgjidhjen e krizës thonë se partitë nuk duhet hequr dorë nga marrëveshja politike, përkundrazi, ata në të gjitha paraqitjet thonë se zbatimi i pikave të saj nuk ka alternativë për Maqedoninë. Çështjet kryesore për të cilat kërkohet zgjidhje janë tërheqja e plotë e vendimit të presidentit për faljen e zyrtarëve, pastrimi i listës zgjedhore, reformat në media, por edhe në sfera tjera, para se gjithash në sistemin juridik. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG