Ndërlidhjet

logo-print

Racizmi bëhet pjesë e kulturës në Rusi

  • RFE /RL

Autolarje në qytetin Blagoveshchens në Rusi, me mbishkrimin: “Do t’ua lajmë gjithë të zezën”

Autolarje në qytetin Blagoveshchens në Rusi, me mbishkrimin: “Do t’ua lajmë gjithë të zezën”

Një autolarje në qytetin Blagoveshçensk të Rusisë mban emrin Abama, që është i afërt me shqiptimin rus të emrit të presidentit amerikan, Barack Obama.

Fotografia në fasadë tregon Obamën duke bërë grimasa dhe ka mbishkrimin: “Do t’ua gërryejmë gjithë të zezën”.

Sipas portalit rus të lajmeve Amur.Info, i cili ka raportuar i pari për këtë fotografi, pronari i autolarjes nuk ka komentuar publikisht për zgjedhjen e emrit të biznesit. Por, lexuesit e artikullit kanë debatuar nëse fotografia është raciste ose jo.

Njëri prej tyre ka shkruar: “Kjo është më shumë idiotizëm sesa patriotizëm”.

“Sipas mendimit tim, Obama e meriton këtë”, ka thënë një tjetër lexues. “Mijëra bashkatdhetarë të mi janë vrarë nga armët që ka shitur Obama”, ka thënë ai, duke iu referuar, me sa duket, përshtypjes së gabuar të Rusisë se SHBA i ka siguruar armë Ukrainës në luftën e saj kundër separatistëve pro-rusë.

Shtetet e Bashkuara nuk i kanë siguruar pajisje vdekjeprurëse ushtarake Ukrainës.

Ligji federal u jep të drejtën autoriteteve lokale që të detyrojnë një biznes të heqë reklamën nëse ajo konsiderohet fyese ose e pahijshme. Megjithatë, autoritetet lokale kanë thënë për ueb-faqen Amur.Info se askush nuk është ankuar në lidhje me auto-larjen.

Qëndrimet raciste ndaj afrikanëve, aziatikëve lindorë, migrantëve nga Azia Qendrore ose Kaukazi janë bërë pjesë e kulturës ruse.

Vitin e kaluar, një zinxhir supermarketesh në rajonin qendror të Tatarstanit ka kërkuar falje për shitjen e një dërrase të kuzhinës, në të cilën paraqitej një foto-montazh i Obamës në shoqërinë e dy shimpanzeve.

Po ashtu vitin e kaluar, një kompani e pajisjeve ngrohëse në qytetin Samar të Rusisë ka pasur një reklamë me fotografinë e Obamës dhe përshkrimin: “Turp për oxhakfshirësit e palarë”.

Në vitin 2014, një grup i studentëve universitarë në Moskë ka marrë përgjegjësinë për një projeksion lazer në një ndërtesë përballë ambasadës amerikane, i cili i uronte Obamës ditëlindjen, por e tregonte atë duke ngrënë banane.

Referncat raciste ndaj Obamës vijnë në kohën kur marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës janë tensionuar keq. Presidenti rus, Vladimir Putin, akuzon shpesh SHBA-në se bën përpjekje të dobësojë Rusinë dhe të minojë autoritetin e tij.

Qendra Sova në Rusi, një grup i njohur që gjurmon racizmin, ksenofobinë dhe dhunën ndaj migrantëve, ka dokumentuar rritje të paragjykimeve dhe të dhunës kundër josllavëve në Rusi, si dhe rritje të grupeve neo-naziste dhe anti-migrante. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG